Një i vdekur, një i plagosur, çfarë po ndodh me burgjet?

Ngjarjet e djeshme në Burgun e Shën Kollit ku një i burgosur gjeti vdekjen nga zjarri dhe plagosja me snajper e një tjetër të burgosuri ngrenë shumë dyshime për çfarë po ndodh. Pas këtyre ngjarjeve të rënda, me të drejtë lind pyetja, kush po kërkon t’i destabilizojë burgjet. Kujt i intereson që të ketë kaos në burgje për të krijuar kushtet që ndonjë i burgosur i veçantë që është nën mbrojtjen e qeverisë të arratiset. Në Burgun e Lezhës ndodhen të burgosur disa elementë që kanë lidhje direkte me funksionarë të lartë të qeverisë së Ramës dhe jo vetëm që kanë marrë dënime të ulëta, por në media është shkruajtur se ata pritet të dalin shpejt nga burgu. A mos vallë krijimi i destabilitetit në burgje është një nga mënyrat për të dalë nga burgu këta elementë?!
Vetëm pak çaste pas vënies së zjarrit në Burgun e Shën Kollit në Lezhë, një tjetër i burgosur u plagos në atentat me snajper në dhomën e ajrimit në Burgun e Vaqarrit në afërsi të Tiranës. A kanë lidhje këto ngjarje me njëra-tjetrën dhe si spjegohet që këto ngjarje ndodhin nën hundën e policisë.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:50 në ambientet e Burgut të Shën Kollit. Si pasojë e rënies së zjarrit në ambientet e burgut një i burgosur ka humbur jetën, ndërsa 5 të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë. Si pasojë e zjarrit ka humbur jetën i burgosuri Flamur Sulaj, ndërsa të plagosurit nga asfiksia janë dërguar në Spitalin e Lezhës.
Policia bëri të ditur se, zjarri ka rënë si pasojë e shpërthimit të një bombule gazi, por familjarët e të burgosurve njoftuan se zjarri është shkaktuar nga një i burgosur. Një i burgosur i ka telefonuar nënës së tij dhe e ka njoftuar se, “të burgosurit po i vënë zjarrin njëri-tjetrit”. Burimet bënë të ditur, se në momentin e rënies së zjarrit ka pasur një sherr mes të burgosurve. Për shkaqe ende të panjohura, të burgosurit janë konfliktuar mes njëri-tjetrit në dy grupe. Pikërisht pas kësaj përplasjeje në qelinë e katit të dytë shpërtheu zjarri. Menjëherë në ambjentet e burgut është krijuar kaos.
Të burgosurit janë hedhur nga dritaret, ndërsa gardianët i kanë lejuar të dalin jashtë qelive për shkak të rrezikut nga flakët. 25-vjeçari, Flamur Sulaj i burgosur, mbeti i vdekur mes flakëve, ndërsa pesë të tjerë mbetën të asfiksuar. Autoritetet e burgut kanë shpresuar se, flakët do të shuheshin aty për aty dhe mësohet se zjarrfikësit mbërritën gati 40 minuta pas rënies së flakëve. Ministria e Drejtësisë informoi dje se, rreth orës 16:00 është vënë re prezencë zjarri në njërën nga qelitë e këtij institucioni.
Pas flakëve është gjetur i asfiksuar dhe pa shenja jete i paraburgosuri Flamur Sula. “Dyshimet paraprake lidhen me një zjarrvënie aksidentale si pasojë e shpërthimit të një bombule gazi për gatim”, thuhet në njoftimin zyrtar. Flamur Sula, i burgosuri që humbi jetën nga flakët është gjetur i asfiksuar në banjon e dhomës, thanë burime zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve. Flamur Sula ishte i dënuar me 10 vjet në Shkallën e Parë për tentativë vrasjeje.

“Djali më tha se të burgosurit po djegin njëri-tjetrin”

Nëna e një prej të burgosurve bëri të ditur dje se, djali i saj i kishte thënë se të burgosurit po i venë zjarrin njëri-tjetrit. “Djali më mori në telefon dhe më tha se, të burgosurit po djegin njëri-tjetrin”. Kështu deklaroi nëna e një prej të paraburgosurve në Burgun e Shën Kollit. Ajo pohoi për ‘News24’ se kishte qenë pikërisht djali i saj, ai që e kishte njoftuar për zjarrin që kishte rënë në burg. “Djali më telefonoi i frikësuar e më tregoi për ngjarjen. Kam frikë për të se është me sëmundje toke. Djali më tregoi se Policia e Burgut nuk kishte marrë asnjë masë”, bëri të ditur nëna e të burgosurit.

Pse mashtrohet për shkakun e zjarrit në Burgun e Shën Kollit…?!

Brenda pak minutave dy versione të ndryshme nga dy institucione të ndryshme bënë xhiron mediatike për shkaqet e rënies së zjarrit në Burgun e Shën Kollit në Lezhë. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se, pasditen e sotme në IEVP Lezhë rreth orës 15:33 ka shpërthyer një bombul gazi gjatë gatimit në ambientet e paraburgimit. Në moment kanë ndërhyrë forcat e policisë për nxjerrjen e të paraburgosurve. Nga zjarri i ndodhur ka humbur jetën një i paraburgosur Flamur Sula, i cili është gjetur i asfiksuar në banjën e dhomës. Flamur Sula është i dënuar me 10 vjet në Shkallën e Parë për tentativë vrasje. Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta të policisë si edhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Gjithashtu po kryhen hetime  nga Prokuroria  e Lezhës për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkaq situata është qetësuar dhe po merren masa për normalizim në ambientet e burgut, duke futur të paraburgosurit në dhoma”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Por vetëm pak minuta më pas, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë, ndërsa ka hedhur poshtë faktin se zjarri në Burgun e Shënkollit ku humbi jetën një person, u shkaktua nga shpërthimi i një bombole gazi. Sipas ISHTI-së, pas kryerjes së inspektorëve në vendngjarje, bombula e gazit që përdorej për gatim u pa se ishte e paprekur.
“Ngjarja s’ka ndodhur për shkak të shpërthimit të bombulës. Bombula e gazit që përdorej për gatim ishte e paprekur. Inspektorët tanë kryen verifikime në vendngjarje”, citohet në reagimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial. Nga ana tjetër ISHTI pohoi se do të jetë grupi hetimor që do të zbardhë ngjarjen.
Sikurse shihet, dukshëm bien në sy qëndrimet diametralisht të kundërta të dy institucioneve shtetërore për shkaqet e rënies së zjarrit. Pyetja që lind është, cili institucion gënjen dhe pse, për shkaqet e rënies së zjarrit? Kjo ngjarje ngre shumë dyshime për shkaqet e vënies së zjarrit.

Dëshmia: Polici mbylli dyert dhe i la mes zjarrit të burgosurit

Një i afërm i një prej të burgosurve që ndodhet në Burgun e Shënkollit, duke mos dashur të identifikohet, deklaroi në një lidhje telefonike për ‘News24’ se një person ka humbur jetën, ndërsa 4 të tjerë janë në gjendje të rëndë. Nga ana tjetër, ai akuzoi se punonjësi i sigurisë ishte larguar me vrap në kohën, kur ra zjarri dhe kishte mbyllur të gjitha dyert me kyç, duke lënë brenda të burgosurit, të cilët po asfiksoheshin.
“I afërmi im është në gjendje të mirë. Bombulat aty janë për kafe. Polici ka mbyllur dyert dhe është larguar nga ambienti i burgut. Dhe të burgosurit janë lënë mes zjarrit të asfiksuar, ndërsa disa prej tyre ulërinin nga dritarja, disa u hodhen nga kati i tretë, ishin të tmerruar. Ka qenë një shkëndije elektrike, ajo që ka shkaktuar zjarrin. Nuk ka pasur shpërthim me bombul. Një person ka humbur jetën dhe 3-4 persona janë të gjendje të rëndë”, tha dëshmitari. Nga ana tjetër, ai theksoi se nuk ka qenë bombula e gazit shkak i zjarrit.
Një dëshmitar okular rrëfeu momentet e tmerrit që përjetuan të dënuarit në Burgun e Shën Kollit, në Lezhë, pas rrënies së zjarrit. Ai tha se, kishte parë të dënuar që hidheshin nga kati i dytë dhe i tretë, pasi polici që kishte çelësat e qelive u largua. Zjarri ka shkaktuar një viktimë. Dyshohet se ai është një i dënuar nga Miloti. Policia njoftoi se ka edhe disa të plagosur.
Për zjarrin e sotëm të rënë në burgun e Shënkollit, ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. I gjendur mes dy zjarresh, ku nga njëra anë, vartësit e tij në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e lidhën shkakun e rënies së zjarrit me një bombul gazi, ndërsa nga ana tjetër vartësit e Institutin Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), që është në varësi të Ministrisë që drejtohet nga Damian Gjiknuri, nuk e lidhin këtë shkak me ndonjë bombul të mundshme të shpërthyer gazi. Ministri Manjani është shprehur se me këtë çështje do të merret Prokuroria. “E vërteta e ngjarjes konfirmohet nga Prokuroria. Prokuroria ka detyrë të vlerësojë çdo provë”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Enton DOÇI

Exit mobile version