Si ka ndryshuar Manchester United pas largimit të Mourinhos

Pasi u bë trajneri i parë që arrin t’i fitojë gjashtë ndeshjet e para në këtë pozitë me “Djajtë e kuq”, Ole Gunnar Solskjaer mund ta fitojë pozitën e trajnerit për edhe më gjatë se vetëm deri në fund të këtij sezoni.
Manchester Unitedi i ka fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara me Solskjaer deri më tani, duke i shënuar plot 17 gola në vetëm gjashtë ndeshje. Madje, norvegjezi ka arritur ta përmirësojë klubin edhe në fazën e mbrojtjes, pasi që skuadra e ka mbajtur portën e paprekur në dy ndeshjet e fundit, transmeton Gazeta Express.
Por, çfarë ka përmirësuar saktësisht Solskjaer në skuadrën e Manchester Unitedit dhe kush janë personat që përfitojnë nga ky përmirësim?
Guximi
Përderisa Jose Mourinho kishte thënë se skuadra e tij nuk mund të sulmojë mjaftueshëm për shkak se e ka mbrojtjen e dobët, Solskjaer i ka dhënë liri lojtarëve të tij të sulmojnë. Kjo gjë ka ndikuar te vetëbesimi i lojtarëve dhe ata tani e kanë guximin të sulmojnë. Si rezultat i kësaj, “Djajtë e kuq” jo vetëm që kanë shënuar më shumë gola, por edhe kanë pranuar më pak të tilla.
Krahu i majtë
Përmirësimi më i madh në skuadrën e Manchester Unitedit ka ardhur nga krahu i majtë i fushës, përmes angazhimit të Luke Shaw dhe Anthony Martial. Përderisa këta dy lojtarë ishin kritikuar shumë nga Mourinho, Solskjaer u beson atyre plotësisht.
50.4 për qind të prekjeve të topit nga lojtarët e Manchester Unitedit në ndeshjen kundër Tottenhamit erdhën nga ky krah. Mesatarisht 49.9 për qind e prekjeve të topit në fazën e sulmit të “Djajve të kuq” vijnë nga krahu i majtë.

Pasimet direkte dhe sulmet e shpejta
Gjëja që ka ndryshuar më së shumti është përdorimi i shpejtësisë së lojtarëve të ekipit për të shënuar gola gjatë ndeshjeve. Mourinho kërkonte që sulmuesit anësor të përfshiheshin më shumë në mbrojtje dhe kjo i pamundësonte sulmet e shpejta.
Nën drejtimin e Solskjaer, lojtarët e Manchester Unitedit bëjnë më shumë vrapime të shpejta dhe japin më shumë gola nga kundërsulmet.
Roli i numrit 10
Mourinho i kërkonte Paul Pogbës që të luante në pozitë më defanzive në skuadrën e tij, mirëpo Solskjaer ia ka dhënë atij mundësinë që të luajë pas sulmuesve. Vendimi për t’ia dhënë lirinë për të sulmuar Pogbës ka rezultuar të jetë i duhur, pasi që francezi i ka shënuar katër gola dhe i ka bërë pesë asiste në vetëm pesë ndeshje me Solskjaer.
Katërshja e njëjtë në mbrojtje
Mourinho kishte qenë pjesë e klubit anglez për dy sezone e gjysmë, por prapëseprapë ai nuk kishte arritur ta gjente formacionin më të mirë në mbrojtje për skuadrën e tij. Vetëm katër ndeshje i kanë mjaftuar Solskjaer, i cili tanimë po luan me lojtarët e njëjtë në mbrojtje.
Kjo vazhdimësi ka ndikuar mirë në paraqitjen e mbrojtësve të Manchester Unitedit, veçanërisht Victor Lindelofit. “Djajtë e kuq” i kanë pranuar vetëm tri gola në gjashtë ndeshje të zhvilluara me Solskjaer, tri të fundit duke e mbajtur portën e paprekur.

Exit mobile version