Miliona euro nga PPP për nipin e Sadri Abazit/ Historia e ‘Uslugës’ që u bë ‘Alko Impex’ për të fshehur gjurmët e deputetit. Raporti i OSBE: Abazi i dha Ramës 1.3 milion € për zgjedhjet
Në raportin konfidencial të OSBE thuhet se, një burim pranë deputetit socialist Sadri Abazi ka pranuar se ai investoi 800 mijë euro në fushatën elektorale të PS-së në Dibër dhe i dha Partisë Socialiste 500 mijë euro të tjera që të gjente një vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë të vitit 2009.
Ligji për Konfliktin e Interesit e thotë qartë dhe e ndalon kategorikisht aplikimin apo marrjen e parave nga fonde publike nga deputetë apo të afërm të tyre. Shprehimisht thotë ligji: Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesit privat të një zyrtari, kur gjatë ushtrimit të funksionit të vet, zyrtari ose personi i afërt ka interes privat pasuror ose personal jopasuror, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikon ose mund të ndikojë në kryerjen në mënyrë të drejtë të funksionit publik. Bëhet fjalë për ligjin nr. 44/2014 datë 24.04.2014.
Ligji sqaron edhe cilësitë e ‘personave të afërt’ të cilët janë bashkëshorti, bashkëjetuesi/ja ose të afërmit e zyrtarit deri në shkallë të dytë, dmth kushërinjtë. Kësaj gërme dhe fryme të ligjit, me sa duket, nuk i bindet deputeti i PS, Sadri Abazi dhe nipi i tij, Arbër Abazi.
Dhjetra milionë euro janë fituar në tendera publikë nga kompania Alko Impex, një ‘bijëz’ e firmës Usluga të Sadri Abazit, një prej njerëzve të afërt të kryeministrit Rama. ‘Burimi i mrekullisë’ për deputetin dibran, biznesmen në fushën e ndërtimit janë ato që Rama i quan ‘Partneriteti Publik Privat’ ose PPP.
Firma “Alko Impex” me pronar Arbër Abazin, djalin e vëllait të deputetit Sadri Abazi është regjistruar në QKB që në vitin 2011, por ‘gjallërimi’ erdhi 3 vjet më vonë kur në pushtet erdhën socialistët. Abazi, bosi i firmës “Usluga” nën trysninë e ligjit, pas marrjes së mandatit të deputetit i dorëzoi ‘çelësat’ e firmës duke ia kaluar aksionet familjarëve.
Katër milion euro firma Alko Impex i ka fituar në vitin 2017 nga kryetari i Bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj, edhe pse procedura është ankimuar nga kompanitë e tjerë konkurente për faktin e thjeshtë se Alko Impex ka patur ofertën më të lartë dhe, megjithatë, është shpallur fituese.
Fondi tavan i prokuruar nga Bashkia e Tiranës, për këtë shërbim ka qënë 494,683,652 lekë.
Operatori ekonomik “Silvio” ka ofruar: 440,306,450 lekë. Refuzuar.
Operatori ‘Victoria Invest’ ka ofruar 455,120,199 lekë. Refuzuar.
Operatori “Shpresa sh.p.k. & Dion Texnikh A.E.” ka ofruar 460,308,404 lekë. Refuzuar.
Operatori Korsel sh.p.k ka ofruar 470,663,330 lekë. Refuzuar.
Operatori Alko-Impex General Construksion ka ofruar 473,765,974 lekë. Pranuar.
Komisionit të Prokurimit Publik ka pranuar ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Shpresa” sh.p.k. & “Dion Texnikh A.E.” duke e detyruar Bashkinë e Tiranës që të rihapë tenderin dhe të paraqesin oferta dy kompani, “Alko Impex General Constrction”, pronë e familjes së deputetit Sadri Abazi si dhe “Shpresa” sh.p.k. & “Dion Texnikh A.E”.
Arbër Abazi e ka regjistruar kompaninë “Alko Impex” edhe në Prishtinë, dhe në tenderat këtej kufirit prezantohet me dokumentacion si degë e Kosovës, duke ofruar kështu referenca false.
Një hulumtim në portalin e qeverisë së Kosovës, zbulon se 7 drejtues teknikë të deklaruar nga kompania, nuk rezultojnë të licencuar pranë autoriteteve shtetërore kosovare. Vetëm i teti i përmbush kriteret sipas ligjit.
Sadri Abazi është deputeti i përmendur edhe në një raport sekret të OSBE, që është publikuar para dy vitesh. Aty thuhet:
Aktivitetet kryesore të Abazit janë ne ndërtim, turizëm dhe prodhimin e duraluminit xhamit. Ai është pronar i Kompanisë Usluga, një distributor kryesor i xhamit, duraluminit, materialeve të ndërtimit dhe hidroizolimit, investimit dhe zhvillimit të pasurive, arredimit e pronar i agjencive imobiliare dhe aktiviteteve te asociuara. Ai pretendon se ka diplomë të IRU nga Akademia e Gjenevës, e që është një institut trajnimi (Unioni Ndërkombëtar i Transportit Rrugor). Lidhjet e tij të forta me liderët e PS-së i kanë siguruar mbrojtje dhe fshehje të aktiviteteve kriminale të kompanive te tij. I karakterizuar nga një arrogancë ekstreme dhe një tendencë për shantazh, ai është gjithnjë nën shoqërinë e vëllezërve të tij, te cilët janë shumë agresivë. Pasuria e tij përllogaritet në rreth 100 milionë euro.
100 milion eurove të identifikuara nga raporti sekret i OSBE, i shtohen edhe dhjetra milionë të tjerë në tendera parash publike të bëra ‘dhuratë’ nga qeveria Rama, dhe bashkitë e udhëhequra nga socialistët.
Në raportin konfidencial të OSBE thuhet gjithashtu se, një burim pranë deputetit socialist Sadri Abazi ka pranuar se ai investoi 800 mijë euro në fushatën elektorale të PS-së në Dibër dhe i dha Partisë Socialiste 500 mijë euro të tjera që të gjente një vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë të vitit 2009.
250 mijë euro bizneseve të familjes Abazi, qeveria Rama ia ka dhuruar edhe nëpërmjet Postës Shqiptare, në një kontratë qeraje për disa ambiente në katin e parë të një pallati pranë Stacionit të Trenit. Disa dokumente zyrtare të botuar nga lapsi.al tregojnë se Posta Shqiptare do t’i paguajë shoqërisë Usluga 17 euro për metër katror për ambientet që po i përdor për zyra, për një periudhë 5 –vjeçare. Sipërfaqja e përgjithshme është 271 metër katrorë, ndërsa vlera e qerasë për një vit është 55.284 mijë euro. Sipas të njëjtit burim vlera e përllogariturr e qerasë është tri herë më e lartë se mesatarja në atë zonë.
Me sa duket Rama, thjeshtë po i kthen paratë e shpenzuara Abazit, shto këtu një bonus të majmë për ‘miqësinë’. Duke mbajtur gjithonë parasysh edhe zgjedhjet e ardhshme të cilat kërkojnë shpenzime të mëdha.