Qeveria ka nisur të raportojë vlerën e kontratave koncesionare në dokumentet zyrtare që shoqërojnë buxhetet vjetore. Por që nga programi i vitit 2018 dhe në projektbuxhetin e vitit 2019, vlera e kontratave me PPP, sidomos në akset rrugore, rezulton të jetë e dyfishuar.
Sipas të dhënave zyrtare në buxhetin e vitit 2018, kosto e aksit Kashar – Rrogozhinë ishte raportuar 41,5 miliardë lekë, ndërsa në projektbuxhetin 2019, vlera është rritur me 103%, duke arritur në 84,7 miliardë lekë.
Autostrada Tiranë – Durrës pritet të jepet me koncesion, me një vlerë 49 miliardë lekë, teksa një studim fizibiliteti i prezantuar nga Autoriteti Rrugor më 2017 ishte rreth 21 miliardë, vlera është rritur me 134%. Autostrada Thumanë – Vorë, e cila në buxhetin e vitit 2018, ishte përllogaritur me 34 miliardë lekë, në buxhetin e vitit 2019 përllogaritet me 45 miliardë lekë. Kontrata për ndërtimin e këtij aksi është në fazën e negocimit.
Autostrada Orikum – Himarë, në buxhetin e vitit 2018 ishte përllogaritur 17 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e vitit 2019 është parashikuar me 9.4 miliardë lekë, teksa në kontratën me kompaninë që tashmë ka fituar koncesionin, vlera e punimeve është 6.6 miliardë lekë.
Rruga e Arbrit, në buxhetin e vitit 2018 ishte llogaritur me 24 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e 2019 me 33 miliardë, afërisht sa vlera e kontratës e cila është në proces të punimeve. Rruga Milot – Balldren rezulton me një vlerë 39% më të lartë në buxhetin e 2019, ndërsa projekti i shkollave në Tiranë, nga 6.2 miliardë lekë, që ishte programuar të financohej në vitin 2018, më 2019 llogaritet 10.1 miliardë lekë.
Burimet nga Ministria e Infrastrukturës pohuan se superstrada Tiranë-Durrës dhe ajo Kashar-Rrogozhinë do të financohet nga privatët dhe do të shlyhen nga tarifat që do të vihen në këto akse. Të njëjtat burime shpjeguan se shifrat mbi vlerën e projekteve në buxhetet vjetore janë hamendësime, teksa sqaruan se vlera e saktë projektohet në momentin kur nënshkruhet kontrata. Mirëpo rastet e përmbyllura të kontratave koncesionare kanë rezultuar mjaft problematike në drejtim të kostos. Kështu, për shembull, Rruga e Arbrit sipas projektit të fizibilietit të dorëzuar në Autoritetin Rrugor Shqiptar më 2005 ishte programuar të ndërtohej për 150 milionë euro. Qeveria e programoi në buxhetin e vitit 2018 me 24 miliardë lekë. Ndërsa në kontratën koncesionare me kompaninë Gjoka Konstruksion, vlera e punimeve është 34 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro.
Në dy dekadat e fundit, kosto për një kilometër autostradë është rritur në mënyrë të frikshme, teksa indeksi i çmimeve në ndërtim, inflacioni dhe rritja e pagave nuk i justifikojnë vlerat e larta që po “fluturojnë” pa logjikë vit pas viti.
Në vitin 2009, një kilometër autostradë me katër korsi, me gjerësi 25 metër, me trotuare dhe ndriçim, ka kushtuar 135 milionë lekë, ose 1 milion euro, ndërsa një e tillë me projektin “One Billion” do të kushtojë mesatarisht 10-11 milionë euro, sipas të dhënave që janë publikuar nga Ministria e Financave në raportet vjetore të monitorimit ndaj Ministrisë së Transporteve. Ndërsa sipas INSTAT, indeksi i çmimeve në ndërtim, nga viti 2008 deri më 2017, është rritur me vetëm 4.8%.
Qeveria shqiptare ka në zbatim një strategji sektoriale për transportin rrugor, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2016 dhe do të jetë e vlefshme deri në vitin 2020. Në dokument parashtrohen për financim 10 projekte të infrastrukturës, 3 prej tyre hekurudha të cilat e ndihmojnë Shqipërinë të lidhet me rajonin. Mirëpo projektet e Paketës 1 miliard nuk përputhen me 10 prioritetet e infrastrukturës të miratuara 2 vite më parë, përveç aksit Thumanë-Kashar.
“Monitor”