Si u vodh kasaforta me Rolex e bizhu në hotelin e të dashurit të Elvana Gjatës

Ervin Mata, i dashuri i Elvana Gjatës, i shpallur në kërkim pas ngjarjes së rëndë me 1 të vdekur e tre të plagosur pak ditë më parë në zonën e ish-Bllokut, rreth një vit më parë ka qenë pre e një grabitjeje spektakolare në hotelin e tij, “Viktoria”.
Tre ora të shtrenjta Rolex, gjerdane me perla dhe mijëra euro i janë marrë në mes të ditës, në kasafortën e tij sekrete, në një prej dhomave të hotelit. Autorët, një prej pastruesve të hotelit, vëllai i saj dhe një miku i tyre, kanë planifikuar vjedhjen, pasi kanë qenë të bindur se Ervin Mata kishte pasuri të mëdha, për shkak të jetës luksoze që ai bënte.
“Boldneës.al” ka siguruar të plotë vendimin e Gjykatës së Tiranës për dënimin e 3 autorëve, Eduart Ngota, Zenel Dama dhe Rajmonda Bruci. Në vendim sqarohet me detaje ngjarja që tronditi pronarin e hotel “Viktoria”, i cili ishte i bindur për sigurinë maksimale që kishte në pronën e tij.
Për herë të parë, në vendimin e gjykatës deklarohet gjithashtu se Ervin Mata është bashkëpronar i hotelit, pavarësisht faktit se, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Hotel Victoria rezulton në pronësi të babait të tij.
Ngjarja ka ndodhur në 15 Gusht të vitit të kaluar, kur Ervin Mata ka konstatuar se, në dhomën 204 të hotelit, të cilët e përdorte vetëm ai, i ishte vjedhur kasaforta.
Ai, fillimisht ka pyetur recepsionistin e hotelit, nëse kishte parë gjë të dyshimtë. Punonjësi i ka shprehur dyshimin se kasafortën mund ta kishin vjedhur dy persona klientë, Eduart Ngota dhe Zenel Dama, pasi ata kishin dalë nga hoteli duke mbajtur një çantë të zëzë, me dy rripa, që dukej që ishte e rëndë.
Pas këtij informacioni, Ervin Mata ka njoftuar Policinë dhe ka shpjeguar dyshimet e tij për ngjarjen. Mata ka deklaruar se njëri nga personat që ka qënë klient në hotel ishte shtetasi Eduart Ngota, i cili është vëllai i pastrueses Raimonda Bruci. Kjo e fundit ishte larguar për në Itali ditën e vjedhjes, pa njoftuar shtetasin Ervin Mata, i cili në kasafortë mbante shumën prej 10.000 euro, disa orë dore, bizhuteri.

Në vijim të kallëzimit, forcat e Policisë kanë bërë të mundur arrestimin e personave të dyshuar, Eduart Ngota, Zenel Dama dhe Raimonda Bruci. Dy të parët, menjëherë pas arrestimit, e kanë pranuar se kanë kryer veprën penale të vjedhjes.
“Truri” i vjedhjes, Eduart Ngota, ka shpjeguar në prokurori hartimin dhe realizimin e planit për vjedhjen e kasafortës së Ervin Matas. Ngota, në bashkëpunim me autorin tjetër, Dema, pasi kanë siguruar nga motra e tij Rajmonda kartën për të hapur derën e dhomës personale të Ervin Mata, kanë marrë kasafortën dhe e kanë vendosur në një çantë të madhe.
Pasi kanë vjedhur kasafortën, Eduart Ngota e ka futur në automjet dhe i vetëm ka shkuar drejt rrugës së Dajtit. Gjatë kësaj rruge, ai ka ndaluar tek një dyqan që shet materiale ndërtimi. Aty ka blerë një mjet prerës fresibël me bateri, një daltë dhe çekiç. Kur ka arritur në afërsi të Linzës, ka ndaluar makinën dhe ka prerë derën e kasafortës me fresibël dhe me daltë dhe çekiç e ka hapur atë, ku ka gjetur ka gjetur shumën prej 7000 euro, tre ora dore, tre byzylyk floriri, një qese gur me perla. Ai më pas ka hedhur kasafortën në një ferrë dhe ka ardhur në Tiranë.
Të ngjashme janë edhe deklarimet e bashkëpunëtorit Zenel Dema. Edhe ky i fundit ka pranuar para grupit hetimor se ka qenë pjesë e vjedhjes së kasafortës së Ervin Matas.
Dema ka deklaruar se rreth orës 16:00 kanë shkuar tek hoteli dhe kanë ndenjur në dhomë. Aty kanë biseduar, ku i pandehuri Eduart Ngota, i ka thënë se kasaforta ishte tek dhoma 204 dhe duhej të shkonin atë ditë që ta merrnin. I pandehuri Zenel Dama i ka thënë se mund ta filmonte ndonjë kamerë, por ai i ka thënë se nuk kishte kamera.
Rreth orës 17:00, i pandehuri Eduart Ngota i ka thënë që të behet gati. Ai ka nxjerrë një çantë të madhe nga rrobat e tij. Më pas kanë vendosur doreza me ngjyrë të bardhë. Rreth orës 18:00, i pandehuri Zenel Dama ka dalë nga dhoma, ka parë që nuk kishte njeri dhe më pas ka dalë edhe i pandehuri Eduart Ngota. Ata kanë shkuar tek dhoma 204, të cilën e hapi i pandehuri Eduart Ngota me një karte, të cilën i ka thënë se e kishte blerë. Pasi janë futur në dhomë kanë gjetur kasaforten poshte tavolinës, të cilën e kanë futur në çantë.
Në përfundim të gjykimit, gjykata e Tiranës vendosi dënimin me 3 vjet e 4 muaj për Eduart Ngota e Zenel Dema dhe 2 vjet e 8 muaj për Rajmonda Bruci, të tre të akuzuar për veprën penale të “vjedhjes me pasoja të rënda”.

“Boldnews.al”

Exit mobile version