Krimi i organizuar për realizimin e proçesit të pastrimit të parave i drejtohet ndërmjetësve financiarë. Për të ndërhyrë në tregun financiar krimi i organizuar, fillimisht synon të stabilizojë kërkesat dhe nevojat, pastaj përcakton mjetet për realizimin e kërkesave dhe të dëshirave kriminale. Pastrimi i parave realizohet nga organizma financiarë që nuk kanë lidhje me veprimtari kriminale. Sot mund të blesh një aksion dhjetë, nesër njëmbëdhjetë ose më pak. Vlera fillestare dhe e drejta për t’i lëvizur këto vlera është shumë e vështirë të kontrollohet, pra dhe fitimi nuk mund të kontrollohet. Tregjet e vlerave veprojnë dhe rregullohen vetëm nëpërmjet ndërmjetësve financiarë (persona juridikë). Regjistrohet blerja dhe kundër blerja e aksioneve, që mund të jenë edhe bankë. Mikrostruktura e tregjeve të rregulluara paraqitet në këtë mënyrë: shiten aksionet nga personat që i kanë blerë “X” apo “Y” një aksion, rritet vlera kur ka shumë kërkesa dhe ulet vlera e aksionit kur ka shumë urdhra për shitje.
Sektori kryesor ku pastrohen paratë, ndërtimi
Sektori tradicional i pastrimit të parave është investimi në sende të paluajtshme, si blerja e pronave, investimet në ndërtime, në hotele, zona turistike, në koleksione të rralla etj. Statistikat e sekuestrimit të pasurive të krijuara nëpërmjet tregut të zi të parasë, tregojnë se forma e pastrimit hipotekor është dominuese, pasi 1 mijë metra katrorë sipërfaqe banimi në zona të preferuara blerjeje, vlejnë më shumë se sa rreth 1 milion dollarë para “cash” të bllokuara në llogaritë bankare. Është fakt se ndërtimi dhe pasuritë e tjera të paluajtshme po bëhen gjithnjë e më tërheqëse për individë dhe subjekte të ndryshme, për të investuar dhe pastruar paranë e pistë nëpërmjet hipotekimit të këtyre pronave.
Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme janë destinacioni i fundit i këtij aksioni mafioz për pastrimin e parave. Subjektet kryesorë që mund të përfshihen në veprimtarinë kriminale të pastrimit të parave janë bankat, zyrat e këmbimit, bursat, fondet e investimeve, shoqëritë e sigurimit, shoqëritë e lojërave të fatit, Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe çdo institucion tjetër që ka të drejtën e transferimit të pronës, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, organizatat jofitimprurëse, ekspertët kontabël, avokatët, noterët, shoqëritë e udhëtimit, etj. Gjithashtu, futja në dorë e sektorit të vlerave kulturore dhe e sendeve të floririt, i shërben këtij qëllimi. Kështu, pronarët e industrisë së floririt kërcënohen nga pastrimi i parave. Krimi i organizuar përdor direkt edhe kambizmin me flori për realizimin e pastrimit të parave.