S’ka krizë te Milani

Vincenzo Montela nuk sheh shenja krize te Milani i tij. Trajneri kuqezi e pranon se renditja aktuale reflekton atë që skuadra ka merituar në fushën e blertë, por nga ana tjetër këmbëngul se grupi që drejton është rritur në shumë aspekte. “Sigurisht që duhet të përmirësohemi sa u përket rezultateve, sepse në futboll është aspekti që vlen më shumë. Megjithatë unë shoh që skuadra është përmirësuar në shumë drejtime: jemi më të rrezikshëm, e kontrollojmë më shumë topin, e godasim më shpesh portën kundërshtare dhe jemi më kompaktë. Në futboll jo gjithmonë fiton skuadra më e fortë”, u shpreh Montela.
Trajneri kuqezi vlerëson Sampdorian si një nga skuadrat që luan futboll të bukur dhe vë në vështirësi çdo kundërshtar në Serinë A. “Sampdoria është një skuadër shumë e organizuar dhe gjithmonë luan për të fituar. Kjo është meritë e trajnerit, që ka ndërtuar një grup të fortë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Duhet të luajmë me shpejtësi dhe qetësi”, tha ai.
Montela flet me keqardhje për mungesën e Bonaventurës, ndërsa për Deulofeun dhe Ocampos, dy afrimet e janarit, dha këtë koment. “Janë dy lojtarë që kur ishin 18-vjeçarë konsideroheshin lojtarë me shumë perspektivë. Duhet të kuptojmë pse nuk kanë shpërthyer. Detyra ime është t’i ndihmoj që të tregojnë më të mirën e tyre. Duhet të përmirësohen në finalizim”, tha Montela.
Ndërkohë për Milanin vijnë lajme shumë të mira nga investitorët kinezë, të cilët do të derdhin 500 milionë euro në arkat e kuqezinjve, ku 100 milionë do të shpenzohen gjatë merkatos së verës. Brenda 10 ditësh në këshillin admistrativ do të përfshihen përfaqësuesit kinezë, ndërsa mbyllja përfundimtare e marrëveshjes është fiksuar për datën 3 mars.
Ndërkohë, ish-mbrojtësi i Juventusit, Martin Kaceres, gjendet në Itali ku pritet të nënshkruajë me Milanin. Por mbrojtësi duhet të kalojë më parë një sërë testesh fizike të stërzgjatura me kuqezinjtë, të cilët kanë dyshim për aftësitë e tij fizike. Futbollisti nuk luan prej një viti, pasi më 3 shkurt 2016 dëmtoi tendinën dhe që atëherë mbeti jashtë fushave të lojës me skuadrën e Juventusit, nga e cila u shkëput në fund të sezonit.
Kaceres nuk u aktivizua me asnjë klub në pjesën e parë të sezonit, ndaj për të parashikohet që testet mjekësore para firmës në kontratën me kuqezinjtë do të jenë shumë më të hollësishme se ato që kryejnë normalisht futbollistët e tjerë. Përveç vizitave rutinë, lojtarit do t’i bëhet një kontroll i detajuar i strukturës fizike, për të shmangur mundësinë që të nënshkruajnë me një futbollist, i cili ka tendencë të dëmtohet. Sipas mediave italiane, akordi me Kaceres do të jetë deri në fund të sezonit, periudhë për të cilën mbrojtësi do të paguhet 400 mijë euro.

Artikulli paraprakTerek fiton me dy golat e Balajt, Berisha asist
Artikulli tjetërCristiano Ronaldo në krizë!