Shqiptarët janë protagonistë absolutë te Terek Grozni. Skuadra ruse vazhdon fazën përgatitore në Rusi, ndërsa fituan 3-1 në miqësoren e luajtur përballë çekëve të Brno-s. Treshja shqiptare, Berisha, Balaj dhe Roshi u aktivizuan në 45 minutat e dyta të lojës, me trajnerin Rakhimov që si zakonisht përdori dy formacione të ndryshme.
Nëse pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1 dhe me një lojë të vakët, për t’i dhënë impuls lojës mendoi pikërisht treshja ofensive BBR, falë të cilëve Tereku dominoi dhe në fund arriti të fitonte.
Bekim Balaj i dha avantazhin skuadrës çeçene në minutën e 53-të të sfidës, duke realizuar me kokë një gol nga një pozicion mjaft i vështirë. Sulmuesi kuqezi realizoi golin e tretë për Terekun dhe të dytin personal pak pasi kishte kaluar një orë lojë, këtë herë i shërbyer nga Bernard Berisha, që me inkursionet në krah ishte një prej lojtarëve më të rrezikshëm për kundërshtarët nga Çekia.
Një paraqitje e mirë kjo e treshes ofensive shqiptare, që cilësohet si një prej pikave më të forta të Terek Groznit për gjysmën e dytë të Premierligës ruse dhe drejt objektivave të skuadrës për një biletë në kupat e Europës.