Skandali! 5 ish-Sigurimsa në organet e larta të drejtësisë, 25 zyrtarë të qeverisë

Në përgjigjen kthyer Top Channel, Autoriteti i Dosjeve thotë se, me zgjedhjen në organet e larta të drejtësisë janë verifikuar 294 kandidatë, nga të cilët 5 individë kanë rezultuar të figurojnë me dosje.
“Janë verifikuar kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nga verifikimi, për 3 persona rezultoi se figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit; dy persona si subjekte proceduese ish-gjyqtar dhe ish-prokuror në procese penale politike (NS, FL) dhe një person si bashkëpunëtor (SV)”.
Ndërsa për rastin e prokurorit Bujar Sheshi, ky autoritet thotë:
“Me kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme është bërë verifikimi i figurës për kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimin Nr.12, datë 22.01.2019, që ka të bëjë me subjektin e verifikuar (BSH), për të cilin ka rezultuar se figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit”.
Nuk janë vetëm institucionet e reja të drejtësisë që kërkojnë informacion, por edhe partitë politike.
“Me kërkesë të dy partive politike (Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Aleanca Popullore për Drejtësi), janë verifikuar 285 persona në kuadër të verifikimit të figurës për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, për zgjedhjet e 25 Qershorit. Nga verifikimi, 4 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (XHA, RT, FT, ZG)”.
Edhe Ministria e Brendshme është interesuar të zbulojë se cilët janë ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit në radhët e saj.

“Me kërkesë nga Ministria e Brendshme janë verifikuar 30 persona, në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose ngritjeve në detyrë. Një person figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (AXH)”.
Ky autoritet ka zbubuar edhe disa bashkëpuntorë në Akademinë e Shkencave dhe Fakultetin Ekonomik në Tiranë.
“Me kërkesë nga Akademia e Shkencave janë verifikuar të gjitha kandidaturat në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose ngritjes në detyrë. Dy persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (GjSh, IM). Nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës janë verifikuar 116 persona. Dy persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (AM, IK)”.
Numrin më të madh të kërkesave për verifikim e ka Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme.
“Me kërkesë nga MEPJ janë verifikuar 234 persona, nga të cilët 7 persona – (FR), (EM), (LlK), (JSh), (GS), (AA), dhe (AD), – figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit”.
Agjencia e spiunazhit shqiptar SHISH ka kërkuar verifikimin e 45 persona që punojnë në këtë institucion.
“Janë verifikuar 50% e personave, pjesa tjetër janë në proces verifikimi. (KP), (QD) dhe (RM) janë persona në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit”.
Autoriteti i dosjeve ka kaluar në skaner edhe 25 persona që kryejnë funksione në pushtetin vendor.
“Rezultoi se (DHS) figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit, po ashtu edhe (ZK)”.
Në Gardën e Republikës, nga 7 persona të kontrolluar, njëri prej tyre ka rezultuar me dosje, ndërsa nga 4 kandidatët për komisioner pranë Avokatit të Popullit, njëri ka dosje, sikurse edhe njëri prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar, me inicialet PP. /TCH

Exit mobile version