Ka përfunduar si një show i turpshëm i pushtetit arrestimi i sponsorëve të PS me akuzën e falsifikimit të biletave të urbanit. Gjykata socialiste ka vendosur sot të lërë të lirë pronarët e kompanive të autobusëve që u kapën në flagrancë të falsifikimit të 150 mijë biletave.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë për 8 të arrestuarit nën akuzën e falsifikimit të biletave të urbanëve.
Masa “arrest me burg” u vendos për 2 nga 8 të ndaluarit: Lulzim Allarajn dhe Aldi Dukën. Ndërkohë, në arrest shtëpie u lanë Ferdinand dhe Anastas Ibrahimi, babë e bir, Klodian Qato dhe Fatos Vrapi. Ndërsa, ndaj Erisa Vorës dhe Albana Vrapit u caktua masa “detyrim paraqitje”.
Gjatë seancës të arrestuarit kanë mohuar të kenë patur pretenduar dijeni për përdorimin e biletave false. Konstatimi i biletave false është bërë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë. Më pas agjentë të tatimeve kanë sekuestruar gjatë kontrolleve bileta që kanë rezultuar se nuk ishin të prodhuara nga kjo shtypshkronje, duke bërë edhe kallëzim në Polici.
Ndalimi i këtyre 8 personave u bë në kuadër të operacionit të koduar “Bileta e falsifikuar”, me finalizimin e të cilit ku u sekuestruan 150 000 bileta urbani të falsifikuara, që konvertohen në vlerën e 6 000 000 lekëve të reja. Nëpërmjet veprimeve të kundraligjshme, të arrestuarit i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, ende të papërllogaritur me saktësi.
Sipas organit të hetimit, për të fshehur falsifikimin, të arrestuarit bënin dublim të biletave, duke i vendosur të njëjtin numër serie si origjinali.