Avancimi i hetimeve për skandalin e përgjimeve pritet që të sjellë përpara drejtësisë ministrin e Brendshëm. Ka një vendim arresti për ministrin e Brendshëm, por nuk po gjendet gjyqtari që do ta firmosë atë, i tha një gazetare ministrit të Brendshëm, kur ai sapo kishte dalë nga një seancë hetimi në Prokurori. Ministri nuk foli duke shtuar se nuk e kuptoi pyetjen, ndërkohë që urdhër arresti lidhet me hetimin më të fundit të Prokurorisë për përgjimet e paligjshme ku ministri është i akuzuari kryesor. Tahiri u thirr dje në Prokurori në lidhje me deklaratat e tij kërcënuese ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj. Ai theksoi se nuk ka hequr dorë nga akuzat ndaj gjyqësorit vetëm pak minuta pasi u pyet në Prokurori lidhur me akuzat që ka ngritur ndaj gjyqtarit Arjan Alia. “Ju përgjigja thirrjes së Prokurorisë për të dhënë sqarime në lidhje me deklaratën për gjyqtarin Alia pas kallëzimit të KLD. Sqarova në Prokurori se i qëndroj deklarimeve që kam bërë se unë besoj se ka shumë nevojë për të parë në detaje punën e çdo gjyqtari, pavarësisht vullnetit që kemi për të zbatuar vendimet e tyre. Nuk më ndalon askush që të jap gjykimet e mia për vendime absurde gjykatash që janë në atë detyrë për shkak të gjobave politike” tha Tahiri. Sulmi i Tahirit ndaj gjyqtarit Aliaj nisi si hakmarrje, pasi Aliaj firmosi urdhrin për arrestimin e Drejtorit të Policisë Haki Ccako, i akuzuar si përgjegjës për përdorimin e jashtëligjshëm të një pajisjeje përgjimi. Pas urdhrit të Çakos për përdorimin e pajisjes së përgjimit qendron Tahiri, i cili rrezikon të arrestohet si përgjegjësi kryesor i këtij megaskandali.
Në disa dalje publike Tahiri ka sulmuar, fyer dhe kërcënuar gjyqtarin Aliaj. “Ky Aliaj është fytyra e vërtetë e gjyqtarëve të korruptuar në sistemin e drejtësisë. Përfaqësuesi më evident i korporatës së të korruptuarve dhe shërbëtorëve politikë që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka se detyrën e kanë dhuratë nga pushteti”, është shprehur Tahiri për gjyqtarin Aliaj. “As në kohën e komunizmit vendimet e gjykatave nuk ishin paçavure, as në kohën e komunizmit gjyqtarët nuk ishin kështu. Flasim për gjyqtar që ka liruar vrasës e përdhunues, sot ka marrë vendim për arrest shtëpie dy oficerë policie me këto argumente. Argument banal, për të bërë qokën politike të radhës. Vendimet më banale që mund të dilnin nga një gjykatë shqiptare”, tha ai. Madje, Tahiri e ka cilësuar sulmin e tij ndaj gjyqtarit si një betejë, e cila sapo ka filluar.
Menjëherë pas pezullimit nga detyra me urdhër të Prokurorisë, të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako si dhe arrestimin e dy punonjësve të policisë për “shpërdorim detyre”, Tahiri akuzoi gjyqtarin Aliaj për dhënie të vendimeve të padrejta në lidhje me çështjen e pajisjes së përgjimit. Gjatë sulmeve të tij, Tahiri nuk nguroi të risillte në vëmendje edhe çështje të tjera të gjyqtarit Arjan Aliaj, duke hedhur baltë mbi të.
Në kallëzimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë thuhet se, ministri me daljet e tij publike ka kanosur gjyqtarin Arjan Aliaj. Sipas kallëzimit të bërë në Prokurori, ministri Tahiri me deklaratat e tij ka fyer, denigruar dhe kanosur gjyqësorin në tërësi dhe në veçanti gjyqtarin Arjan Aliaj. Pasi ky i fundit, me kërkesë të Prokurorisë më 6 qershor të këtij viti, vendosi pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ky pezullim erdhi pas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria për përfshirjen e drejtorit Çako në skandalin e përgjimeve.
Prokuroria pretendoi se drejtori Çako ka konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk administroi dhe procedoi sipas ligjit për aparaturën e përgjimit të hyrë në Shqipëri nga autoritetet e Interforcës italiane. Kallëzimi ndaj Tahirit erdhi pas reagimeve të shumta të gjithë njerëzve të drejtësisë, të cilët dënonin ashpër gjuhën fyese e denigruese të ministrit ndaj gjyqtarit. Veç Shoqatave të Gjyqtarëve dheP ka reaguar edhe KLD-ja, e cila e cilësonte të papranueshëm fjalorin e ministrit.
Me marrjen dhe administrimin e pamjeve filmike, Prokuroria do të vlerësojë nëse në deklaratat e ministrit Tahiri ka elementë të veprës penale të “kanosjes” ndaj gjyqtarëve. Gjithashtu, pritet që thirret në Prokurori edhe gjyqtari Aliaj për të dhënë spjegimet e tij.
A.Shahini