Në një kohë kur prokuroria e posaçme anti-korrupsion (SPAK) po e heton koncesionin për sterilizimin e instrumenteve mjekësore, qeveria ka bërë disa ndryshime të kontratës së tenderit, i dyshuar e akuzuar shpesh herë si një koncesion i korruptuar.
Lajmin e ka bërë vetë me dije Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila deklaroi këtë të martë se koncesioni ka njohur ndryshime, fill pas dërgimit të kallëzimit penal nga ana e Nismës Thurje, e cila e çoi dosjen në SPAK.
Ogerta Manastirliu tha se ndryshimi parashikon një ulje të çmimit të shërbimit të sterilizimit në momentin kur do të ketë mbi 64 mijë ndërhyrje, Reduktimi i çmimit për sterilizimin e instrumentave mjekësore është në masën 25%, pra pagesa për çmimin e seteve dhe kompleksitetet e tyre do të ofrohen më lirë nga koncesionari.
“Kemi amenduar kontratën e sterilizimi, dua të bëj një parantezë këtu, nuk është vetëm një kontratë që ofron vetëm sterilizimin por instrumente, pesë procese pune dhe të gjithë elementëve që ofrojnë sigurie maksimale për shëndetin e qytetarëve.
Një amendim i kësaj kontrate ka ndodhur në javën e dytë të këtij muaji, të janarit duke reduktuar pagesat mbi 64 mijë ndërhyrje për kompelskitetet. Ka pasur në raport me atë që ka prodhuar, më mirë se unë mund të flasin mjekët, punët që kryhen përmes këtij partneriteti. Ajo që kemi përfituar është siguria për qytetarët.
Tani mbi 64 mijë ndërhyrje ka reduktim 25% të pagesave për kompeklesitetet. Numri i ndërhyrjeve nuk shtohet se duam ne por nga sëmundshmëria.
Ne duhet të synojmë shumë te cilësia, kjo do të thotë se nuk janë të rëndësishëm numrat, por cilësia. Numrat nuk kanë qenë problem. Nuk ka pasur reduktim, por racionalizim. Cdo institucion ka një buxhet, që është vjetor dhe harxhimet janë në bazë të asaj që ndodhet.
Cdo spital organizon punën në bazë të prioriteteve dhe sigurisht urgjencat dhe planifikimet janë zgjidhur 100%. Është bërë një vlerësim i cili ka rakorduar që mund të rishikohet mbi një normale mi 64 mijë ndërhyrje çmimi i seteve, kompelskiteteve të ndryshme, dhe është arritur për të reduktuar 25% mbi 64 mijë ndërhyrje” deklaroi Manastirliu.
Kujtojmë se pak ditë më parë Nisma Thurje dërgoi në SPAK dosjen për koncesionin e sterilizimit, me argumentin se është dukshëm një tender korruptiv dhe se I ka kushtuar xhepave të shqiptarëve miliona euro.
Në dalje të ndërtesës së SPAK, doktori urolog Artan Koni, I cili e ka kritikuar hapur koncesionin, u shpreh se ka besim se drejtësia do të dijë t’i bëjë llogaritë e duhura për të kuptuar korrupsionin e tenderit për sterilizimin.
“Baza kryesore është llogaria, kostot ekonomike, ne paguajmë 17 milionë euro në vit, për një set kirurgjikal kosto na del 2.4 euro, ndërsa ne i paguajmë koncesionit 90 euro. Kjo është baza e këtyre dyshimeve që kemi ne për një koncesion korruptiv” tha Artan Koni, ditën e djeshme pasi u pyet nga prokuroria.