Patrullimi i makinave të Policisë në Tiranë lë shumë për të dëshiruar. Shpesh kemi parë që në rrugica dytësore, apo në cepa pallatesh, qëndrojnë për një kohë të gjatë autopatrulla të policisë. Një gjë e tillë bëhet nga vetë efektivët, të cilët në këtë rast “përtojnë” që të lëvizin me automjete. Madje, ka pasur raste që shoferët shesin naftën e këtyre mjeteve, duke u justifikuar tek shefat më pas se kanë patrulluar për disa orë.
Tashmë, për të evituar këto probleme, Ministria e Brendshme, ka hapur një tender për “blerjen dhe montimin e sistemit të kontrollit me GPS të mjeteve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë”. Mësohet se fondi është 137 milionë lekë pa TVSH.
Bold News ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, ku rezulton se procesi po bëhet për përmirësimin e punës dhe rritjen e shpejtësisë së veprimit ndaj ngjarjeve kriminale. Sipas saj, policia po ndërton një infrastrukturë të gjerë në monitorime dhe raportime online nëpërmjet sistemeve informatike. Një prej ktyre është dhe sistemi i monitorimit GPS.
“Sistemi është mjaft fleksibël dhe ju krijon mundësinë për të zgjedhur pajisjet e preferuara për monitorim dhe është kompatibël me pjesën më të madhe të pajisjeve sot në treg. Në këtë mënyrë kemi avantazhin të ketë një gamë të gjerë pajisjesh të instaluara nga prodhues të ndryshëm, sipas kërkesave specifike dhe kostos për pajisje. Sistemi duhet të ofrojë të dy mënyrat e komunikimit, nëpërmjet GPRS dhe SMS, të jetë multigjuhësh dhe mund të përshtatet në ngjyra dhe logo sipas preferencave te përdoruesit. Integrimi me pajisje dhe aksesorë të tjerë është tjetër avantazh i specifikimeve për sistemin dhe pajisjet”, thuhet në dokumentet e siguruara nga Bold News.
Sipas saj, salla operative e Drejtorisë Vendore Tiranë përbëhet nga 40 kompjuterë me sistem operative. “Qëllimi i këtij prokurimi është për ngritjen e sistemit GPS me komponentët HW dhe SW përkatës për pajisjen e automjeteve të Policisë së Shtetit shqiptar”, thuhet në këto dokumente. Më tej shtohet se, objekti i këtij investimi është blerja e pajisjeve dhe programeve të gatshme për sistemin e monitorimit të automjeteve nëpërmjet GPS siç janë pajisjet GPS/GSM, ekrani i monitorimit etj.