Vrasja e Çiços, pamjet filmike “fundosin” oficerin e policisë

Prokuroria paraqet provat ndaj shefit të Antidrogës në Komisariatin Nr.5 të Tiranës, Alban Trimi, për fshehjen e armës dhe celularit të viktimës, Elton Çiço pas vrasjes në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ndaj Trimit, dje u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa Prokuroria ka ngritur akuzë penale ndaj tij në bazë të provave të grumbulluara në vendngjarje. Masa e arrestit ndaj tij u mor 48 orë pas ngjarjes me urdhër të Prokurorisë. Sipas Prokurorisë, menjëherë pasi Çiço u qëllua me armë, oficeri i policisë, Alban Trimi, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton se ka lëvizur viktimën dhe më pas i ka marrë armën dhe celularin, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas Prokurorisë, polici Trimi që punonte pranë Komisariatit Nr.5, në Tiranë është larguar nga lokali për të mos u kthyer më. Megjithëse, i akuzuari ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria, por pamjet filmike e “fundosin” policin.
Çfarë zbuloi Prokuroria nga pamjet filmike?
Sipas Prokurorisë, nga këqyrja e videos rezulton se, “një nga personat e ulur në tavolinë me të quajturin Alban Trimi dhe personin mbi të cilin u qëllua me armë zjarri pistoletë, kthehet tek tavolina ku ishin ulur para se të qëllohej me armë dhe nga çanta që është në krah të djathtë të personit që u qëllua merr një send në formën e pistoletës dhe del nga dera sipër së cilës duket se është vënë kamera regjistruese ku më parë doli edhe shtetasi Alban Trimi.
Pastaj kthehet sërish tek vendi ku ka mbetur gjysmë i shtrirë mbi divan shoku i tyre i qëlluar me armë zjarri, ulet në anën e tij të majtë, ku më parë ishte ulur shtetasi Alban Trimi dhe ndërkohë duket se në duar para, mbi prehër, mban ende sendin si pistoletë të cilin më pas e lë diku në krahun e tij të majtë në një vend, ku këndi i fokusimit të kamerës nuk regjistron. Pastaj e kap me të dy duart shokun e tij të qëlluar me armë zjarri dhe mundohet ta ulë në dysheme, por nuk ja arrin dot i vetëm dhe në ndihmë i shkon shtetasi Alban Trimi.
Të dy së bashku e ulin të qëlluarin me armë zjarri në dyshemenë e lokalit me shpinë mbi pllaka  dhe kokë nga banaku i lokalit. Ndërkohë, shtetasi Alban Trimi shkon tek tavolina ku ishin ulur, merr disa sende nga aty dhe i vendos në xhepin e majtë të pantallonave të tij dhe del nga dera në krah të majtë të banakut e kthehet serish në lokal dhe në këtë moment dallohet se në xhepin e djathtë të pantallonave të tij ka një celular ngjyrë të zezë.
Pastaj shkon tek vendi ku pak më parë personi tjetër la sendin si pistoletë e merr atë e kalon në pjesën para brezit nga përpara dhe me dorën e djathtë e fut në pjesën e pasme të brezit nga e djathta, duke përdorur edhe dorën e majtë për ta sistemuar në brezin e pantallonave nga pas. Pas kësaj del nga fokusimi i pamjeve filmike dhe nuk kthehet më në këtë vend ku për pak kohë vijnë punonjës policie…”.
Nga hetimet e Prokurorisë bëhet me dije se më pas në vendngjarje nuk është gjetur pistoleta dhe aparati celular i përdorur nga viktima. Fillimisht, dy sendet i ka marrë shtetasi Redi Renja, dhe më pas ato i ka marrë polici Alban Trimi, punonjës policie, i cili është larguar më pas nga lokali.
Nga verifikimet paraprake rezultoi gjithashtu se, Alban Trimi nuk gjendej në territorin e DVP Tiranë, por ishte larguar për në Tepelenë prej nga ku do të kthehej pas varrimit të viktimës. Kjo tregon se prania e policit me Çiçon nuk ka qenë rastësore, por kishin miqësi me njëri-tjetrin.

Gjykata lë në burg pa afat oficerin e policisë

Ish-shefi i Antidrogës në kryeqytet Alban Trimi do të qëndrojë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Tiranës. Gjyqtari Asim Vokshi, zhvilloi seancën gjyqësore me dyer të mbyllura, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë, për vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës shtrënguese, atë të “arrestit me burg”.
Para gjyqtarit të masave, mësohet se oficeri Trimi ka mohuar fshehjen e sendeve personale të Elton Çiços dhe ndërhyrjen apo prishjen e provave në vendin e ngjarjes. Edhe avokati mbrojtës mbajti të njëjtin qëndrim, duke pretenduar se oficeri Alban Trimi dhe dentisti Redi Renja kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë mjekësore shokut të tyre, Elton Çiço. Avokati i kujtoi Gjykatës, punën e lavdërueshme që oficeri Alban Trimi ka bërë gjatë ushtrimit të detyrës, ku mes tjerash ishte edhe operacioni i arresimit të rreth 30 personave në Tiranë, për shpërndarje e shitje të lëndëve narkotike.
Ish-shefi i Antidrogës në kryeqytet me ndihmën e avokatit, kërkoi të lirohet nga Gjykata me pretendimin se është i pafajshëm. Por ky pretendim, mësohet se u kundërshtua nga prokurori Enklid Gjini. Ai lexoi para gjyqtarit Vokshi, përshkrimin e veprimeve të oficerit Alban Trimi dhe dentistit Redi Renja të fiksuara nga kamera e sigurisë së lokalit, pas vrasjes së shokut të tyre Elton Çiço. Sipas Prokurorisë, fillimisht ka qenë dentisti Renja që ka hequr pistoletën e Elton Çiços nga çanta, duke vendosur në një cep të lokalit. Ku pak sekonda më pas, pasi kanë lëvizur viktimën nga vendi i vrasjes në dysheme, prokurorët thonë se oficeri Trimi e ka marrë atë bashkë me aparatin celular dhe është larguar nga lokali. Pak minuta më pas, ai është marrë në pyetje për disa orë dhe më pas është lënë i lirë për t’u arrestuar dy ditë pas ngjarjes.

Tri pistat e Prokurorisë për vrasjen e Elton Çiços

Tri janë pistat hetimore, që Prokuroria e kryeqytetit është përqendruar për të gjetur shkakun dhe autorin e ekzekutimit të Elton Çiços, mbrëmjen e së dielës në një lokal në zonën e ish-bllokut. Sipas Prokurorisë, hetimet janë fokusuar në mbledhjen dhe sigurimin e provave materiale dhe informacioneve operative, në lidhje me konfliktet që Çiço mund të ketë patur me individë të caktuar. Burimet pranë grupit hetimor, i thanë ABC Neës, se pista kryesore për të cilën dyshohet se është ekzekutuar Elton Çiço, ka të bëjë me dyshimet për përfshirjen e tij në vrasjen e Robert Ramës në Durrës dhe vendosjen e tritolit ndaj vëllezërve Ervis dhe Elton Imerit.
Kjo pasi dyshohet se tre këta të fundit, kanë marrë pjesë në dhunimin dhe grabitjen e prindërve të Çiços në Tepelenë. Hetuesit, thonë burimet, kanë ngritur dyshime edhe për pistën e vrasjes për shkak të prishjes së pazareve të trafikut të drogës si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, pasi Çiço rezulton i dënuar në Greqi. Ndërkohë, grupi hetimor nuk ka përjashtuar edhe pistën e vrasjes për shkak të fajdeve dhe borxheve që Çiço mund të kishte me pronar të ndryshëm të kazinove dhe lojërave të fatit.
Të tre këto pista, sipas Prokurorisë, po verifikohen dhe po punohet edhe me marrjen e dëshmisë së familjarëve dhe personave të afërm të Çiços për të mësuar për konfliktet që kishte ai. Ndërkohë, hetuesit thonë se një ndihmë për hetuesit do të ishte gjetja e aparatit celular të Çiços, i cili mendohet se është fshehur nga shokët e tij, dentisti Redi Renja dhe oficeri i policisë Alban Trimi.
Nga ana tjetër, pavarësisht se kanë kaluar gati një javë nga ngjarja, Policia e Shtetit ende nuk ka një të arrestuar si të dyshuar për ekzekutimin e Çiços mbrëmjen e 1 majit në një lokal në kryeqytet. Ku nga fiksimi i kamerave të sigurisë, autori afrohet i qetë pranë lokalit, hyn brenda pranë tavolinës ku ndodhej Elton Çiço e 3 miqtë e tij dhe e qëllon me dy plumba, një në kokë dhe një në gjoks dhe largohet, duke i shpëtuar prangave të policisë.

Shefi i Antidrogës, në varrimin e viktimës Elton Çiço në Tepelenë

Shefi i Antidrogës, Alban Trimi ka deklaruar për hetuesit se, pas vrasjes së Çiços ndodhej në Tepelenë në varrimin e Eltonit. Kjo tregon se prania e policit me Çiçon nuk ka qenë rastësore, por kishin miqësi me njëri-tjetrin. Mësohet se Prokuroria ka nxjerrë urdhër ndalimi për efektivin Trimi që natën e ngjarjes, por është arrestuar 48 orë me vonesë nga policia.
Efektivi i policisë, që akuzohet se mori armën dhe telefonin e viktimës Elton Çiço, në vrasjen e ndodhur mbrëmjen e të dielës do të qëndrojë në burg. Gjykata e Tiranës është bindur nga provat e sjella nga Prokuroria dhe ka caktuar si masë sigurie për të arrestin me burg pa afat.
Trimi nuk ka pranuar akuzën e ngritur se ka penguar zbardhjen e të vërtetës, shpërdorimit të detyrës dhe armëmbajtje pa leje, duke deklaruar se, nuk ka marrë armë nga vendi i krimit. Por Prokuroria ka paraqitur si provë videon e kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi vrasja. Në to, sipas prokurorit Enklid Gjini, shihet qartë momenti kur qëllohet viktima dhe çanta e tij e krahut është në tavolinë.
Mjeku Redjan Rraja merr nga çanta e viktimës pistoletën të cilën e lë në vendin ku ishin ulur. Në këto kohë, nga filmimet shihet që Alban Trimi merr disa sende personale të viktimës dhe celularin dhe largohet nga aty. Rikthehet përsëri dhe pasi ndihmon mjekun që të sistemojnë trupin e viktimës, merr pistoletën e tij e fut në brez dhe largohet nga lokali, për të mos u kthyer më.
Por duke qenë se nuk është gjetur në territorin e kryeqytetit nga Policia e Tiranës, ndalimi i tij është bërë ditën e enjte. Nga verifikimet ka rezultuar se Alban Trimi ka qenë në Tepelenë në varrimin e Elton Çiços.
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Alban Trimi, me funksion oficer policie në Komisariatin Nr.5, në Tiranë, i dyshuar për veprat penale të “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Nga veprimet e deritanishme hetimore të Prokurorisë së Tiranë, rezulton se i dyshuari, i cili ka qenë i pranishëm në atentatin e ndodhur në datën 01.05.2016 në lokalin “D..N…” në Tiranë, ku mbeti i vdekur shtetasi Elton Çiça, ka fshehur armën e zjarrit dhe telefonin celular që mbante me vete viktima.
Pas këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhërin e ndalimit ndaj tij, si i dyshuar për veprat e mësipërme. Urdhëri i ndalimit është ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit pas dy ditësh. Nga verifikimet rezultoi se i dyshuari ka qenë në Tepelenë, në varrimin e viktimës Elton Çiço dhe më pas është kthyer në Tiranë, ku është bërë i mundur edhe ndalimi i tij.

R.POLISI

Exit mobile version