Skandali/Ahmetaj, filmohet në Ohër me kinezët, duan 360 milionë euro për Koçon me Rrugën e Arbrit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtise dhe Sipermarrjes, Arben Ahmetaj, duke folur gjate nje konference te perbashket shtypi, ku eshte arritur marreveshja me FMN dhe Banken Boterore, per nje marreveshje prej rreth 1 miliard dollaresh per tre vjet, e ndare ne 300-350 milione dollare cdo vit.

Projekti i “Rrugës së Arbërit” është bërë nga një studio shqiptare mbi 10 vite më parë.

Deri më tani janë ndërtuar gjatë qeverisë Berisha 37 km. Ka mbetur pa ndërtuar segmenti më i vështirë i saj 26,8 km, me gjerësi 7,5 m, një tunel 2,6 km në Murriz (i ngjashëm me një nga tunelet e Krrabës), një tunel 560 m në Gurin e Bardhë dhe disa ura. Kostoja e këtij segmenti sipas ekspertëve duhet të jetë nga 80 deri 100 milionë euro. “Bechtel” ka ofruar ta ndërtojë këtë segment për 120 milionë euro, por Edi Rama i ka dhënë urdhër Edmond Haxhinastos, që të mos e lejojë në asnjë mënyrë më në Shqipëri “Bechtel”-in.
Pa hyrë në vlerësime për cilësinë shumë të diskutueshme të vetë projektit, pa asnjë studim gjeologjik dhe socio-ekonomik, po ju bëjmë me dije përpjekjet e Edi Ramës, se përse i përfshiu kinezët në këtë projekt, që shumë mirë mund të vazhdonte ta bënte edhe 26 km e mbetura me fondet e buxhetit të shtetit, si dhe segmentet e ndërtuara deri më tani.
Me ardhjen në pushtet në takimin e parë që Edi Rama pati me kompaninë kineze “CSCEC” (http://english.cscec.com/) dhe në prezencë të diplomatëve kinezë, ju prezantoi deputetin Koço Kokëdhima dhe ju tha shprehimisht kinezëve: “Ky jam unë”. Natyrisht “socialisti” Koço nuk e pati fare problem që të bënte një ujdi të shpejtë nënkontraktimi me kinezët, duke bërë nënkontraktor të tyre biznesmenin D.T. Qëllimi i dhënies “me koncesion” dhe paraqitja si një ofertë e pakërkuar u bë thjesht që të mos bënin transparent koston e ndërtimit.
Pasi Koço ra në ujdi me kinezët e “CSCEC” (me dorëzani të Ramës) i vuri pa vështirësi në rreshtore ministrat e Transportit e të Ekonomisë dhe u mundua të neutralizojë ish-ministrin Cani me kërcënime “shkarkimi” në gazetën e tij “Shekulli”.
Po ku qëndron problemi më serioz me “Rrugën e Arbërit”?
Qëndron tek formula “inovative” e financimit (e vjedhjes) “Koncesion me garanci trafiku”. Që do të thotë që “nëse në ‘Rrugën e Arbërit’ nuk kalojnë X numër makinash në vit, qeveria shqiptare do të paguajë diferencën e trafikut të munguar”. Sipas standardeve europiane, në një rrugë me 2 korsi prej 27 km (ndërtuar me kosto mesatare) do të duhen të kalojnë 7’000 makina në ditë, që ajo të jetë rentabël. Sa makina mendoni që mund të kalojnë në “Rrugën e Arbërit”? Në “Rrugën e Kombit” kalojnë rreth 4’000 makina në ditë. Pra, nuk do shumë përllogaritje të kuptohet që “Garancia e Trafikut”, që do të garantojë të paguajë qeveria shqiptare është thjesht një “Këst kredie i fshehtë”.
Atëherë përse qeveria shqiptare vazhdon të zbatojë një skemë vjedhjeje?
Pse nuk ndiqet procedurë tenderimi për ndërtimin e 2 segmenteve të “Rrugës së Arbërit”, derisa kjo është një kredi e pastër, që do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë?
Nëse thonë që është një propozim kinez i pakërkuar, gënjejnë. Ky është projekt i qeverisë shqiptare.
Nëse thonë se firma “CSCEC” e financon vetë, gënjejnë. Gjithë investimet kineze me kredi të buta në 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore i financon China Exim Bank (http://english.eximbank.gov.cn/en/), që jua jep qeverive me kusht që përfitues të jenë firma kineze. Në çdo vend që kjo bankë ka financuar të tilla projekte, ato kanë kaluar në procese tenderimi nga qeveritë respektive. Evitimi nga qeveria shqiptare i procedurave të tenderimit bëhet me të vetmin qëllim, që të mos ketë transparencë për koston e fryrë të ndërtimit të rrugës, që sipas ofertës së firmës kineze (që përfshin kostot e larta të nënkontraktorit të Kokëdhimës) është 360 milionë euro për një distancë rruge 26 km, aq sa nga Tirana në Dajt!!! Kjo rrugë s’mund të kushtojë kurrsesi më shumë se 100 milionë euro (përfshi bakshishet standarde).
Të gjitha veprimet e deritanishme të qeverisë shqiptare kanë kulmuar me ligjin për një procedurë të veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e “Rrugës së Arbërit”, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company”.
Kjo nuk është aspak transparente
Me këtë ligj qeveria do të mbulojnë një kredi të fshehtë, që po merr nga Exim Bank, që sipas gjithë gjasave do të përfundojë në pjesën më të madhe në xhepat e Kokëdhimës dhe në dëmin tonë si shtetas. Kjo do të rrënojë edhe më tepër krizën ekonomike të Shqipërisë. Prandaj ne si qytetarë kemi të drejtë të informohemi dhe të bëhet çdo gjë transparente dhe sipas Ligjit “Për Prokurimin Publik” dhe të mos stisen ligje për të përligjur veprime të paligjshme.
Pra, sipas gjithë gjasave ky është prologu i një vjedhjeje tjetër “në emër të kombit”, vjedhje e financimeve kineze të “Rrugës së Arbërit” me ekzekutor primar tutorin e Edi Ramës – Koço Kokëdhimën.
Nga veprimtaria e deritanishme e kësaj qeverie, ku nuk ka asnjë investim serioz në ekonomi, bile nuk ka asnjë projekt serioz ose vizion ekonomik (përveç palmave 6’000 euroshe), po shohim vetëm skema vjedhje të llojeve të ndryshme me ekzekutorë të ndryshëm, që kanë emër dhe mbiemër:
Vjedhja klasike, për ditën me diell, e naftës dhe e rentave minerare nëpërmjet “Albpetrol”-it, drejtuar de facto nga kryeekzekutori socialist i vjedhjeve Koço Kokëdhima (me lejen e Edi Ramës);
Vjedhja me tenderin e “check up”, që de facto përfitues pas figurantes Vilma Nushi është ish-ortaku i saj, Arben Ahmetaj (ekzekutori numër 2 socialist i vjedhjeve);
Vjedhjet konstante në shëndetësi nga Ilir Beqaj (ekzekutori numër 3 socialist i vjedhjeve);
Tentativa e vjedhjes se 500 ha në Spitallë dhe e koncesionit të TVSH-së nga Olsi Rama;
Tentativa e vjedhjes me “Rrugën e Arbërit” me kryeekzekutor Koço Kokëdhima, etj.
Kina heton Ramën për aferën korruptive të Rrugës së Arbrit
Në shtator 2015 China Exim Bank e refuzoi përfundimisht financimin e “Rrugës së Arbërit”, pasi e klasifikoi si një projekt superkorruptiv dhe me kosto shumë të fryra. Këtë vendim të Exim Bank e amplifikoi edhe takimi sekret i ministrit Arben Ahmetaj (ekzekutorit të punëve të pista të qeverisë Rama), biznesmenit D.T. (ortaku i Koço Kokëdhimës) dhe përfaqësuesve të “CSCEC” dhe Exim Bank në Ohër të Maqedonisë, ku shërbime të specializuara i filmuan me zë e figurë në tentativë për të korruptuar zyrtarët kinezë. Koço nuk vajti se nuk di asnjë gjuhë të huaj, megjithëse e shoqja tani ka filluar kinezçen me qëllim që Koço të flasë direkt pa ndërmjetësa me kinezët.
Duke humbur mbështetjen e bankave kineze, “CSCEC” dorëzoi në fund të tetorit një propozim me kosto edhe më të fryrë se më parë, pasi mendon ta vetëfinancojë. Në këtë rast sipas rregullave të shtetit kinez, ndërmarrjet shtetërore kineze nuk lejohet të bëjnë asnjë financim me paratë e tyre, nëse nuk sigurojnë një IRR mbi 13%. Që domethënë se “CSCEC” duhet ta vetëshlyejë (plus fitimin) “Rrugën e Arbërit” brenda 8 vitesh. Kjo e ka bërë të papërballueshme këtë ofertë për qeverinë shqiptare.
Për zgjidhjen e këtij ngërçi, në mesin e janarit 2016, kumbari dhe nënkontraktori kryesor i “Rrugës së Arbërit”, ai që i ka fryrë realisht kostot e saj, Koço Kokëdhima vizitoi kompaninë kineze në Pekin, por nuk arriti dot kompromis me kinezët. Të dy palët: qeveria shqiptare dhe “CSCEC” po bëjnë lojë nervash dhe pazare me njëri-tjetrin, të cilat sigurisht mund t’i paguajnë shumë shtrenjtë shqiptarët.
Këto tregojnë që qeveria Rama nuk është një qeveri ndryshe dhe nuk ka asnjë program ekonomik, por është një “qeveri e vjedhjeve publike”. Natyrisht Rama është i mirënjohur për korrupsionin 10-vjeçar në Bashkinë e Tiranës dhe përfitimet nga lejet e ndërtimit, betonizimin e Tiranës, etj. Por sa më sipër janë fakte të forta që tregojnë që Edi Rama nuk ka ndryshuar. Ai ende nuk është ngopur së vjedhuri, por po vazhdon të vjedhë në një nivel edhe më të lartë me anën e ekzekutorëve të tij të vjedhjeve. Dhe fotografia më e saktë e vjedhjeve të tij janë vetë kostumet e tij “Brioni su misura”, nga 20 mijë euro, që i ndërron çdo ditë.
Pra, kultura politike në Shqipëri mbetet ajo e plaçkitjes së çdo gjëje dhe e vazhdimit të rrënimit ekonomik dhe moral të vendit. Shembulli i radhës – “Rruga e Arbërit” po dështon prej tamaqarllëkut të Koço Kokëdhimës dhe metodologjisë korruptive të Edi Ramës.
Nga burime diplomatike mësojmë se diplomatë të lartë kinezë kanë njoftuar Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, se Kina ka nisur një hetim për korrupsion për “Rrugën e Arbërit”. Që në realitet do të thotë, që Shqipëria është në listën e zezë të Kinës për nivelin e lartë të korrupsionit. Ajo është kapur në tentativë për të vjedhur fondet kineze dhe vështirë se mund të përfitojë financime nga Kina, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit kanë përfituar me qindra milionë euro investime kineze. Qeveria shqiptare po e fsheh këtë fakt.

Exit mobile version