Skema e Euro 2016, sfidohen të mëdhatë

Cilësojeni rastësi. Nëse doni edhe fat të keq. Por, edhe tifozi më pesimist në llogaritje nuk e besonte se të mëdhenjtë mund të kishin kaq probleme në rrugën drejt finales së Kampionatit Europian. Mjafton të shqyrtosh për pak çaste skemën, për rrugën që skuadrat e mëdha në Euro 2016 do të ndjekin në fazën me eliminim direkt. Nga turi i 1/8-ave dhe deri në duelin për trofeun kontinental. Diferenca ndërmjet dy krahëve të tabelës është e frikshme. Sfida impenjuese, për Italinë, Spanjën, Francën, Gjermaninë dhe Anglinë. Të gjitha të renditura në të njëjtin krah. Ndërkohë, në krahun tjetër nuk ka asnjë favorite të madhe: Zvicra, Polonia, Kroacia dhe Uellsi.
Për kualitet, emra lojtarësh dhe peshë të skuadrave, peshorja anon dukshëm në krahun e djathtë të tabelës. Prej 1/8-ave Spanja kampione e Europës në fuqi përballet me Italinë. Fituesja e këtij çifti do të gjejë në çerekfinale Gjermaninë, ndërsa sipas gjasave në gjysmëfinale projektohet një duel përballë Francës dhe Anglisë. Diferenca ndërmjet skuadrave në krahët e ndryshëm të tabelës bëhet më e dukshme, duke vëzhguar renditjen e FIFA-s, të publikuar më 2 qershor. Nga Gjermania e vendit të katërt, te Spanja e gjashta, Anglia dhe Italia në vendet 11 e 12-të dhe Franca e 17-ta.
Në anën tjetër, Zvicra renditet e 15-ta, Uellsi i 26-ti, ndërsa Polonia dhe Kroacia ndajnë vendin e 27-të. Një ndarje e frikshme, që natyrisht favorizon skuadrat më të vogla dhe ku mundësitë për të tjera surpriza në Kampionatin Europian mbeten të mëdha.

Exit mobile version