“Smartmatic”: Votimi elektronik në dy muaj

Redin HAFIZI

Kompania “Smartmatic” është një prej atyre që mund të gjenden lehtësisht në internet dhe që shprehen se në praktikat e tyre mund të realizojnë votimin elektronik brenda një periudhe dymujore. A është i mundshëm ky standard të aplikohet në Shqipëri? Sipas asaj që paraqet kompania, ajo thotë se e ka aplikuar një sistem të tillë të votimit elektronik për 5.2 milionë votues dhe koha që i është dashur ka qenë vetëm 75 ditë.
Ne sot jemi në muajin janar dhe Rama bashkë me ndonjë diplomat të kapur thotë se është e pamundur që një sistem i tillë të mund të aplikohet në Shqipërinë me 2.5 milionë votues.
“Smartmatic” nuk është një kompani fantazmë, as një kompani e sajuar nga gazeta “RD”. Për më shumë kjo kompani duhet të jetë e njohur për Ramën, pasi Soros është një njeri mjaft i afërt për këtë kompani. Kjo sa për transparencë të procesit për të kuptuar se votimi elektronik është i mundshëm nëse ka vullnet politik.
Rama ka dhënë urdhër që të bllokohet miratimi i procesit elektronik të votimit për zgjedhjet e qershorit. Pseudospecialistët kanë nxjerrë faktorin kohë dhe pamundësi e realizimit, ndërkohë që kompani lider në këtë fushë tregojnë me fakte se ky lloj votimi është plotësisht i mundshëm edhe me kohën që ka mbetur. Këtu duket se mazhoranca nuk ka dhe nuk ka patur vullnet politik, pasi opozita e ka paraqitur kërkesën për votim elektronik që në maj të vitit të kaluar.
Një proces zgjedhor i legjitimuar është esencial për një demokraci moderne. Kjo është edhe arsyeja se shumë kompani kanë bërë kërkime për të përmirësuar teknologjinë e votimit në mënyrë që të rritet niveli i transparencës, eficenca dhe integriteti i zgjedhjeve duke e bërë procesin e votimit më të pranueshëm. Një ndër këto kompani është edhe kompania “Smartmatic” që operon në fushën e votimit elektronik. Ato janë një ndër kompanitë më të mëdha në këtë fushë duke ndihmuar qindra milionë përllogaritje votuesish në mbi 3.7 miliardë rezultate votimi në zgjedhje politike anembanë botës, duke ofruar një teknologji që tashmë është shndërruar në një standard botëror.
Drejtuesit dhe zbatuesit e “Smartmatic” besojnë se bota e lirë po lëviz gjithnjë e më shumë drejt një demokracie gjithpërfshirëse ku zgjedhjeve periodike duhet t’i shtohet edhe një shkëmbim opinioni mes qytetarëve dhe qeverisë. Duke dashur që të shkëmbejmë këtë eksperiencë me qytetarët shqiptarë, të cilët këto ditë janë bombarduar nga propaganda e qeverisë për pamundësinë e votimit dhe numërimit elektronik, mund të themi se kjo kompani në rekordet e saj ka edhe organizimin e një procesi elektronik zgjedhjesh për 5.2 milionë votues dhe i është dashur vetëm 75 ditë. Ndërkohë që opozita e ka paraqitur kërkesën për votim elektronik që në maj të vitit 2016, ndërkohë që mazhoranca e ka injoruar këtë. Megjithatë faktet që dalin nga kompani të specializuara në këtë fushë tregojnë se nëse ekziston vullneti koha nuk përbën ndonjë problem. Kompania që po marrim si referencë ka përpunuar më shumë vota elektronike se konkurrentët e saj, 3.7 miliardë në mbi 3 500 zgjedhje nëpër botë.
Një ndër arsyet se përse votimi elektronik është shumë më bashkëkohor është se është lehtësisht i auditueshëm, pra të gjitha partitë, qytetarët dhe komisionet mund të kryejnë auditim në çdo hap të procesit elektoral. Një veçanti në këtë proces është printimi i dokumentit prej letre për auditim në çdo moment. Makinat elektronike printojnë një biletë për çdo votë që regjistrohet në mënyrë elektronike. Në këtë mënyrë bëhen më të thjeshta rinumërimet dhe auditimet postzgjedhore, pasi thjesht krahasohet rezultati elektronik me numërimin në letrën e printuar. Në gjithë botën një proces i tillë është kthyer de facto në një standard për zhvillimin e zgjedhjeve të drejta dhe të besueshme. Printimi i dokumentit në letër ndihmon edhe në sigurinë e procesit të votimit. Për shembull, nëse dikush do të mundohet që gjatë procesit të votimit të sulmojë sistemin elektronik për të ndërhyrë në rezultatin final atëherë do të ketë një papajtueshmëri mes rezultatit që del në makinë dhe atij që del nga dokumenti i printuar. Duke iu referuar një shifre të kompanisë së mësipërme shohim se një gjë e tillë nuk ka ndikuar në rezultat në numërimin e mbi 2.5 miliardë votave. Në të njëjtën kohë sistemi elektronik garanton edhe sekretin e votës.
Pra, procesi i votimit elektronik garanton eficencë në çdo hap, shpejtësi dhe saktësi në regjistrimin e votuesve. Gjithashtu votimi elektronik shpejton verifikimin e votuesve, garanton sekretin e votës dhe gjithashtu bën ruajtjen, numërimin dhe transmetimin e votës 100% të sigurtë. Ndërkohë që kompanitë që operojnë në këtë fushë janë të interesuar që të ofrojnë shërbim të një niveli të lartë në përshtatje me kushtet e vendeve që organizojnë zgjedhjet dhe kanë nevojë për shërbimet e tyre. Këto kompani garantojnë se mund të dizenjojnë sisteme që përputhen më së miri me kërkesat dhe legjislacionin e vendit në fjalë, ndërkohë që qëllimi final është garantimi i një rezultati të shpejtë dhe të legjitimuar, pra i pranuar nga të gjitha palët.

Ja cilat janë benefitet e votimit elektronik

Votimi elektronik është një term që përdoret për të përshkruar aktin e votimit duke përdorur sisteme elektronike për të votuar dhe numëruar votat.
Vendet që aspirojnë për të ecur përpara, si dhe komisionet elektorale në botë janë tashmë të etur për të gjetur rrugë se si mund të ndihmojnë në përmirësimin e zgjedhjeve.

I auditueshëm, transparent, i sigurtë dhe i saktë
Për shumë vende, procesi elektronik i zgjedhjeve do të thotë se qytetarët mund të besojnë në rezultat, pasi i jep procesit vlerat se është i auditueshëm, transparent dhe i sigurtë. Patjetër që votimi elektronik eviton gabimet njerëzore.

Nxjerrje e shpejtë e rezultatit dhe rrit besimin
Për disa vende të tjera, veçanërisht ato me popullsi të madhe si Brazili, India dhe Filipinet, votimi elektronik dhe numërimi elektronik do të thotë se qytetarët mund të marrin rezultatet e zgjedhjeve në disa orë, në vend të disa javëve. Pra, sërish rrit besimin.

Rrit angazhimin dhe pjesëmarrjen
Për shumë vende, teknologjia mund të jetë e dobishme në një rrugë që ndihmon ngritjen e edukatës së votuesve dhe regjistrimin e tyre. Në këtë mënyrë rritet angazhimi qytetar dhe pjesëmarrja në votime. Ndërkohë që duke folur për pjesëmarrje shohim edhe një aspekt tjetër se krijon mundësi dhe lehtësira për njerëzit me aftësi fizike të kufizuara që të votojnë në mënyrë të pavarur.

A e dini se…?

1. “Smartmatic” ka shpenzuar më shumë se gjithë kompetitorët bashkë në kërkimet për teknologjinë e zgjedhjeve;
2. “Smartmatic” ka drejtuar zgjedhjet e para kombëtare duke përdorur makineri votimi që printonin menjëherë dokumentacionin e rezultatit, duke i dhënë mundësi votuesve të verifikojnë nëse vota e tyre ka kaluar në mënyrë të rregullt dhe njëkohësisht duke i dhënë mundësi komisioneve të bëjnë auditimin;
3. “Smartmatic” ka kryer regjistrimin biometrik më të shpejtë në botë për votuesit, 5.2 milionë qytetarë në më pak se 75 ditë;
4. “Smartmatic” ka garantuar teknologji dhe shërbime për procesin e automatizuar më të madh në botë, 50 milionë votues duke përdorur 92 000 skanera optikë;
5. “Smartmatic” gjithashtu ka organizuar zgjedhjet e para kombëtare në botë ku çdo fazë ishte e automatizuar, duke futur edhe verifikimin përmes votuesve biometrikë.

Exit mobile version