E turpshme, Rama blen vdekjet e 21 janarit me 1.6 miliardë lekë

Qeveria ka akorduar një fond shtesë për Ministrinë e Brendshme që kap vlerën e 1.6 mld lekëve të vjetra, të cilat do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore për viktimat e 21 janarit. Paratë do t’i kalojnë Gardës së Republikës, e cila është e paditura nga familjarët e viktimave të 21 janarit.
Vendimi
Një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore për viktimat e ngjarjes së 21 janarit 2011.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të Ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, «Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë» dhe Ligjit nr. 130/2016, «Për buxhetin e vitit 2017», me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave,
Vendosi:
Ministrisë së Punëve të Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, i shtohet fondi prej 160 011 479 (njëqind e gjashtëdhjetë milionë e njëmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore për viktimat e ngjarjes së 21 janarit 2011, sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, akordohet për Gardën e Republikës së Shqipërisë, për shlyerjen e detyrimeve sipas vendimeve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.
Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Exit mobile version