Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi mbrëmë se PD do të publikojë sot fakte të reja tronditëse mbi lidhjet e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe personat e emëruar prej tij në trafikimin e lëndëve narkotike. Basha ndodhet në Romë ku po takohet me zyrtarë të lartë politikë duke i njohur ata me situatën kritike që po kalon Shqipëria. Në një postim në Facebook, Basha shprehet: “Në Romë me përfaqësuesit më të lartë politikë mbi gjendjen e rëndë të vendit dhe të nesërmen europiane të Shqipërisë. Nesër fakte të reja tronditëse mbi implikimin e Tahirit dhe të emëruarve të tij në kultivimin dhe trafikun e drogës!”.
Kryetari i opozitës, Basha ka denoncuar pak ditë më parë se 80 oficerë policie rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës në një dosje me të dhëna sensitive që disponohet nga opozita. Ai denoncoi publikisht me emra kupolën e policisë të lidhur me bandën e kryekriminelit, Shullazi.
Shefi i Operacioneve Speciale, Alban Ahmeti është një tjetër emër i denoncuar për lidhjet me bandën e Shullazit, i cili ka ngjitur shkallët e karrierës në polici. “Kanë krijuar një shtet brenda shtetit me këtë bandë”, u shpreh Basha.
Gëzim Zhupa, një tjetër shef komisariati në Tiranë është pjesë e bandës së Shullazit, i cili po ashtu është emëruar në atë post për shkak të lidhjes me bandën kriminale.
Ermal Muça, i cili mban edhe postin më të lartë të zëvendësdrejtorit për Krimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është një tjetër emër i lidhur me këtë bandë kriminale dhe i denoncuar mbrëmë nga kryetari i opozitës, Basha.
Banda e Shullazit sipas denoncimit rezulton të ketë emërimet e saj në të gjitha komisariatet e Tiranës. Engjëllush Abdyli një tjetër emër i kësaj bande rezulton të jetë drejtues i Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.
Këta janë disa nga emrat e drejtuesve në polici, të cilët rezultojnë me lidhje dhe të katapultuar në ato poste vetëm se janë pjesë e bandës së Shullazit.
Kjo nuk mund të konsiderohet më një polici, por një bandë kriminale që ka veshur uniformën e policisë, ndërsa shteti mund të konsiderohet tërësisht i rënë në gjunjë përballë kësaj bande.
Reagimi për Reformën në Drejtësi
Më herët, në një tjetër postim në Facebook, Basha reagoi në lidhje me deklaratat e Ramës mbi Reformën në Drejtësi.
“Sot e tha me zë dhe figurë pse e donte Reformën në Drejtësi Rama: që të shpëtonte Kokëdhimën e kokëdhimët e tjerë. Sakaq kërcënoi gjyqtarët që nuk e hëngrën presionin e tij për të mbrojtur Koçon. Ky ka qenë dhe ky është koncepti i tij për reformën: Të kapë drejtësinë, të mbajë mbi ligjin klikën e tij të oligarkëve alla Koço dhe kriminelëve alla Shullaz, të marrë hak ndaj gjyqtarëve që guxojnë të ndëshkojnë për abuzime flagrante miqtë e tij, siç bëri sot me gjyqtarët e Kushtetueses, të cilët i kërcënoi hapur sepse zbatuan ligjin, sepse mbrojtën paratë e publikut. Llomotit kot, kërcënon nga marazi”, thekson kreu i PD.
Basha tha se, “Reforma ‘Rama’ për kapjen e drejtësisë ka dështuar përballë vizionit demokratik të opozitës dhe angazhimit serioz të SHBA, BE dhe Komisionit të Venecias. Reforma Rama për kapjen e drejtësisë nuk ka më asnjë shans. Kredibilitetin për të çuar në fund Reformën në Drejtësi që nuk mbron, por ndëshkon korrupsionin e ka PD në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shprehet Basha.
Arben Shahini