Zbardhet telefonata e Tahirit me Shullazin, ministria nuk e mohon

Disa pyetje të ngritura dje paradite nga selia e PD në lidhje me një telefonatë të ministrit të Brendshëm Tahiri me kryekriminelin Shullazi, përpara arrestimit të tij, mbeten pa përgjigje nga qeveria.
PD akuzoi direkt Tahirin se kishte folur me Tahirin përpara se ai të arrestohej. Telefonata bëhej edhe më e rëndë, pasi ishte bërë nga telefoni i nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Ermal Muça. Ndërsa pritej që Ministria e Brendshme të hidhte poshtë deklaratën e PD dhe të mohonte që Tahiri të kishte folur me Shullazin, reagimi i policisë pohonte të kundërtën.
Në të gjithë deklaratën e djeshme të policisë flitej për arritjet e saj, por në asnjë rresht nuk mohohej që Tahiri të ketë telefonuar Shullazin. Në asnjë rresht të asaj deklarate nuk hidhej poshtë denoncimi i PD se telefonata ishte bërë nga telefoni i nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Muça.
Përse Tahiri nuk e mohoi? Tahiri e di se ajo akuzë mbështetet mbi një provë të fortë dhe ai nuk ka dashur që të rëndojë pozitat e tij. Ai ka mundur se rruga më e mirë ishte një reagim limonatë ku flitet për arritjet e policisë se t’i jepej përgjigje atyre pyetjeve dhe fakteve që denoncoi zyrtarisht PD.
Është mundur që të zbardhet edhe mënyra se si Tahiri komunikonte me Shullazin. Për të qenë i sigurtë se herët a vonë do të jetë pjesë e hetimit, ai ka mundur të fshehë çdo gjurmë nga telefoni i tij. Mirëpo kjo nuk mund ta shpëtojë atë nga interceptimi i zërit dhe metodave për të dalluar zërin e tij edhe përmes telefonave të vartësve të tij që drejtojnë sot Policinë. Dhe kjo është akoma më e rëndë se provon se jo vetëm ministri, por e gjithë kupola e policisë është në shërbim të bandës kriminale të Shullazit.
Një gjë është e qartë. Tahiri tashmë është një gur që po peshon rëndë në qafën e Ramës. Ai po shkon me hap rreshtor drejt burgut dhe atje nuk do të jetë i vetëm. Jo se do të gjejë mikun e tij në krime, Shullazin, por se rrezikon që të marrë me vete edhe Ramën që në fakt është padroni i Saje Qorrit dhe Shullazit bashkë.

Çfarë fshehin pamjet e lokalit ku u ekzekutua Çiço?

A ka biseduar Saimir Tahiri me Emiliano Shullazin, përpara ndalimit të tij nga policia?
A e ka garantuar Tahiri, Shullazin, se thjesht do të shoqërohej do të pyetej për kërcënimin e kandidatit për rektor, e më pas do lihej i lirë?
Të gjitha të dhënat tregojnë se kështu ka ndodhur.
Pakti u prish, sepse Prokuroria urdhëroi arrestimin për akuzat e gjobvënies e kanosjes, pas punës disa mujore që kishte bërë për sigurimin e provave, sigurisht pa dijeninë e Tahirit.
Burime serioze, oficerë që janë në dijeni dhe që kanë qenë prezentë në aksion, dëshmojnë se Saimir Tahiri ka folur me Emiliano Shullazin përmes telefonit të nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Ermal Muça.
Ky funksionar i policisë rezulton të jetë një nga personat e besuar për shumë paligjshmëri e trafiqe që bëhen me dijeninë dhe bekimin e Tahirit.
Nëse Prokuroria merr pamjet e dy muajve të fundit të lokalit ku ndodhi ekzekutimi i Elton Çiços, do të shohë se pothuajse çdo natë Ermal Muça dhe Qebini i doganave ishin në shoqërinë e viktimës. Dhe të gjitha këto lidhje përfshijnë Shullazin e të çojnë tek Tahiri.
Eshtë kjo arsyeja pse arma dhe telefoni i viktimës u morën natën e krimit. Sepse arma dhe sidomos telefoni zbulojnë lidhjet me krerët e policisë dhe janë provë e dëshmi e trafiqeve të drogës.
Ky është pra drejtimi që i bëhet Policisë së Shtetit, inkriminimi i saj në pikat kryesore. Ky është shteti kriminal, ku Edi Rama e ministri i Brendshëm janë një me bandat, bëjnë pazare, ofrojnë siguri e paprekshmëri për to.
Ndaj jeta e qytetarëve sot është më e pasigurtë se kurrë, droga ka mbuluar vendin, dhe trafikantët e bandat sundojnë kudo.

Përgjimet e bandës së Shullazit me drejtorin e Hipotekës

Disa komunikime telefonike janë kryer mes Gilmando Danit, Blerim Shullazit dhe ish-kryeregjistruesit të Durrësit, Jyrgis Çyrbja, me qëllimin e vetëm regjistrimin në kohë në Hipotekë të pronës së ish-hotel “Vollga” në Durrës.
Nga dokumentacioni që “Shqiptarja.com” disponon, qartësohet se agjentët e policisë kanë marrë në konsideratë dhe disa deklarata të një gazetari, dhe fill pas këtyre deklaratave kanë kryer një sërë verifikimesh.
Sipas procesverbalit të datës 9 shkurt 2016 për këqyrjen e marrjen e të dhënave që gjeneron faqja “Google”, rezulton që janë printuar disa faqe nga shtypi i shkruar dhe ai viziv që bëjnë fjalë për veprimtarinë e një grupi kriminal, që u vënë gjoba biznesve, ku mes të tjerave përmendet Emiliano Shullazi dhe Gilmando Dani.
Ndërkohë që sipas procesverbalit 20 shkurt 2016, rezulton se për pasurinë ish-hotel “Vollga”, janë pronarë Emiliano Shullazi dhe çifti Fejzi e Mireta Kodra, ku Shullazi e ka fituar këtë pronë me kontratë dhurimi. Lidhur me regjistrimin e kësaj prone ka referuar informacion Policia e Shtetit se është ushtruar kërcënim ndaj kryeregjistruesit të Durrësit, Jyrgis Çyrbja.
Për këtë rast janë marrë transkiptet telefonike të përgjuara, ku një rol të rëndësishëm ka i dyshuari Gilmando Dani, i cili zhvillon biseda me regjistruesin, duke i thënë atij nëse ka ndonjë problem, si dhe duke i kërkuar të mos vonohet puna, pasi ai nuk është mësuar të mos jetë korrekt.

Bisedat e përgjuara

Një bisedë e kryer më 7 janar tregon Danin që i thotë numrit 0682026XXX të Jyrgis Çyrbes:
“…Përshëndetje. Do mbarojmë punë sot Llano…”. Ndërkohë që sërish Dani vijon duke i pohuar”,…Mondi t’u plas jam, se nuk jam mësu mos me qëndru korrekt…”.Nga ana tjetër Dani merr një sms nga numri 0682026XXX, i cili rezulton të jetë i Jyrgis Çyrbes, ku ky i fundit i thotë:”…Ti kishim mbyll nesër, këto që ishin për sot dhe atë 50 cen…”.
Telefonatë e 10 shkurtit 2016 Dani merr një SMS nga numri 0682026XXX me tekst: ”…Përshëndetje Mondi! Për zotin sot e kam të pamundur, por nesër do mbarojmë punë pjesërisht dhe flasim nga afër…”. Sërish më 10 shkurt 2016, Gilmando Dani i dërgon një SMS numrit të lartpërmendur me tekst:”…Mondi me fjalë do mi sillte sot se i kam shit një dyqan dhe mi sillte 75.000 euro…”.
Ndërkohë më 16 shkurt 2016 shfaqet shtetasi Blerim Shullazi që përdor numrin 068XXXXX159 ku komunikon me përdoruesin e numrit 067XXXX8438
159-Ky çuni i Krujës 24 jam, a u ban ato letrat…?
438-Ça emri kishe ti.
159-Ato letrat për
438-Ca emri ke thash
159-Altin Kulla
438-Jo s’është bërë akoma
159-E kur bëhen ato
438-Se kemi ne në dorë
Për këto fakte është marrë në pyetje shtetasi Jyrgis Çyrbja, i cili në deklarimet e tij pranon faktin se ka pasur komunikime në lidhje me regjistrimin e kësaj prone me personat e sipërcituar, ku atij i është kërkuar të bëjë regjistrimin urgjent.
Për regjistrimin e kësaj prone ka pasur probleme dhe me kryeregjistruesin në Tiranë Ilirjan Muho, pasi ish-hotel “Vollga” është regjistruar e pezulluar në dy raste.

Biznesmeni nga Lushnja, dëshmi kundër Emiljano Shullazit

Kallëzimi i një biznesmeni duralumini nga Lushnja është bërë shkak që Gjykatat e Apelit për Krimet e Rënda të vendosë mbajtjen në burg të Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit. Më 25 janar 2016 në biznesin e tij shpërtheu një sasi eksplozivi. Biznesmeni është Adriatik Kërçuku, shkruan Shqiptarja.com. Sipas saj, Kërçuku rezulton të ketë depozituar një dëshmi në Komisariatin e Lushnjës dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Fierit, ku tregonte se në muajin janar 2016 është telefonuar nga një numër i panjohur, duke i kërkuar takim, por ai i është përgjigjur se s’mund të takoheshin, pasi atë ditë ndodhej në Durrës. Sipas dëshmisë së biznesmenit të aluminit, telefonata e panjohur është kryer pas vizitës që katër djem të panjohur kanë kryer në biznesin e tij në autostradë, afër Lushnjës. Më tej është zbuluar se bëhej fjalë për Emiljano Shullazin. Në dëshminë e tij biznesmeni Kërçuku, thotë se tek njësia e shërbimit kanë shkuar 4 vetë me një BMW të zezë, me targa të identifikuara dhe janë prezantuar tek punëtori i tij Mili Dervishi, duke i kërkuar takim me pronarin. Ai ka sqaruar se, njëri prej tyre i është prezantuar si Emiljano Shullazi. Këtë ia ka rrëfyer punëtori i tij, ndërsa vetë biznesmeni thotë se nuk e ka takuar ndonjëherë Shullazin. Telefonata ku i kërkohej takim i ka ardhur pas kësaj “vizite”. Ai e ka refuzuar dhe pak ditë më pas, më 25 janar të këtij viti një sasi tritoli shpërtheu brenda oborrit të biznesit të tij. Policia është vënë në ndjekje të veprimeve të Shullazit pas denoncimit. Por ditën e shpërthimit, ai ka rezultuar se nuk ndodhej në Shqipëri. Më 23 janar, ai ishte larguar në Itali, nëpërmjet Portit të Durrësit. Ai është kthyer 3 ditë pas shpërthimit, më 28 janar 2016, po nga Durrësi. Sipas Shqiptarja.com, policia ka ballafaquar edhe punonjësin Mili Dervishi me fotot e Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit, por ai nuk ka mundur t’i identifikojë. Ka thënë se nuk i mbante mend personat që i kishin kërkuar të takonin pronarin e kompanisë ku punonte. Të njëjtën gjë pohuan në polici e më pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda edhe akademikët Koni e Kule. Edhe ata thanë se nuk e mbanin mend se kush i kishte kërcënuar. Prokuroria ka në dorë edhe kallëzimin e një gruaje, e cila pretendon se Shullazi i ka marrë një pronë në Tiranë dhe e ka regjistruar në emrin e Gilmando Danit. Avokati i Shullazit e ka mohuar këtë version.

Exit mobile version