Kombëtarja angleze gjen pasuesin e Allardyce. Trajneri i ri i “Tre Luanëve” do të jetë Gareth Southgate, i cili do të udhëheqë skuadrën në katër takimet e radhës, 3 për eliminatoret e botërorit “Rusi 2018” me Maltën, Slloveninë dhe Skocinë, si dhe një miqësore luksi me Spanjën. Të dielën Southgate do të bëjë publike listën e futbollistëve, që do të jenë të impenjuar në 2 takimet e muajit tetor. Ish-mbrojtësi i Anglisë ka qenë trajneri i përfaqësueses U-21 dhe mendohej se do të zëvendësonte Roy Hodgson, por nuk ndodhi kështu pasi Federata e Futbollit vendosi t’ia besonte këtë detyrë Sam Allardyce. Në konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i “Tre Luanëve”, Southgate u shfaq entuziast për detyrën që ka marrë përsipër. “Kemi një skuadër me elementë shumë cilësorë dhe nisur nga kjo asgjë nuk është e pamundur. Sigurisht që hapi i parë është kualifikimi. Unë kam besim tek ky grup futbollistësh. Duhet të jemi të përqendruar dhe solidë”, u shpreh Southgate.
Para zyrtarizimit të Southgate, si pasues i mundshëm i Allardyce u përfol Arsene Wenger, me francezin i cili e ka lënë të hapur mundësinë e marrjes së kësaj detyre nëse gjërat nuk shkojnë mirë te “Tre Luanët”. “U surprizova kur mora vesh për interesimin e drejtuesve të Federatës së Futbollit dhe i falënderoj për vlerësimin. Fakti që përmendem si kandidat i mundshëm për stolin e Anglisë është një nder i madh për mua. Momentalisht në mendjen time është Arsenali, më pas të shohim”, tha ai.