Tevez: Icardi meriton kombëtaren

Carlos Tevez paralajmëron edhe një herë largimin nga futbolli në fund të vitit, ndërsa përkrah grumbullimin në kombëtaren argjentinase të Mauri Icardit. Apashi që po vazhdon karrierën me Boca Juniors nuk e konfirmon me saktësi tërheqjen, edhe pse nga ato që thotë është e qartë se po e mendon seriozisht diçka të tillë.
“Tërheqja? Është një mundësi reale, do ta diskutoj me familjen. Vjen momenti që njeriu lodhet. Mundësitë janë, e dinë që unë them gjithmonë të vërtetën. Në Europë kur mbaron ndeshja mund të vazhdosh dhe të bësh jetën normale, këtu varet se si shkon ndeshja. Jemi të gjithë pak të çmendur, nuk mund as të çosh vajzën te dentisti apo te mjeku. Lojtarëve ju ndodh diçka e tillë. Kur humbasin ndeshjen nuk mund të dalin as nga shtëpia”.
Për kombëtaren argjentinase Tevez e ka një emër, sugjeron trajnerin Bauza të mbështetet te Mauri Icardi që po bën një fillim sezoni të shkëlqyer me Interin.
“Për sa i përket kombëtares padyshim që Icardi e meriton grumbullimin. Kjo pasi bën gola me vazhdimësi dhe po luan shumë mirë me Interin. Pastaj është Bauza ai që vendos, por trajneri nuk është se ka shumë presion mbi vendimin nëse do të grumbullojë një sulmues apo një tjetër dhe mund të zgjedhë atë që është më mirë momentalisht. Unë nuk e shoh më veten në kombëtare”.

Exit mobile version