Juristi Kreshnik Spahiu tha në një intervistë për Euronews Albania se kryeministrit Edi Rama i intereson të faktorizojë si opozitë të Partisë Socialiste, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Sipas tij për sa kohë kreu i “Rithemelimit” dhe ai i “Partisë së Lirisë” do vazhdojnë jetën politike, Rama do vijojë të jetë kryeministër i vendit.
Spahiu tha se zgjedhjet e fundit treguan qartë që Partia Socialiste ka marrë pushtetin në të gjithë Shqipërinë, ndërsa shtoi se 6 bashkitë ku fitoi opozita janë “të dhuruara” nga pushteti i socialistëve, për të legjitimuar pluralizmin politik.
“Në politikë forca matet me rezultat zgjedhor. Rezultati i fundit i 14 majit, tregoi që Shqipëria u ngjyros mavi. Vetëm 6 fshatra të Shqipërisë u fituan nga demokratët. PS-ja fitoi të gjitha bashkitë në Shqipëri, i la vetëm 6 provinca dhe ia la vetë. I mori bastionet, i mori Tropojën, i mori Kukësin, i mori Kamzën, Shkodrën, Bathoren, i mori çdo cep. I la 6 provinca që të quhet pluralizëm politik. Unë mendoj se Berisha dhe Meta janë të mbaruar.
Ata do ekzistojnë për sa kohë të jetë gjallë Edi Rama. Gjithashtu për sa kohë të jenë gjallë Berisha me ilir Metën, Edi Rama do të jetë kryeministër. Kjo është loja e përcaktuar e estabilshmentit politik në Shqipëri. Forca e socialistëve është se sot dominojnë njësoj si Enver Hoxha apo Ramiz Alia me disa rripa transaksioni që kishin frontin demokratik, rininë komuniste të cilat i quanin lëvizje pluraliste në kohën e komunizmit.
Ashtu edhe PS-ja dhe Edi Rama i kanë shndërruar forcat opozitare në drejtori të pushtetit, duke i çfaktorizuar ato totalisht e duke mos lënë nga ana tjetër as Partinë Demokratike të fuqizohet, pasi bëjnë faktor politik Metën dhe Bërishën”,-tha Kreshnik Spahiu.