Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka theksuar se kjo forcë politike është në mbështetje të kërkesave të pedagogëve dhe të artistëve. Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Spaho tha se kryeministri Rama duhet të dëgjojë pretendimet e pedagogëve sa i takon Ligji për Arsimin e Lartë, si dhe kërkesat e artistëve, për Ligjin e Artit.
Sakaq, deputeti demokrat i bëri thirrje kryeministrit Rama që të ketë parasysh faktin se, “Kur të fillojë të presë koka, duhet të përballet edhe me reagimin e tyre”.
“Pedagogët e UT kanë ngritur probleme për mënyrën sesi funksionon ky universitet, dhe kjo nuk mund të fshihet me retorikën e kryeministrit. Ju atje nuk shkuat për bravat, se nëse kryeministri shkon të takohet me ta për bravat, se nëse është kështu na ka marrë lumi. E ka marrë lumi gjithë vendin. Debati nuk ishte dhe nuk është për bravat, por për Ligjin e Arsimit të Lartë. Më e pakta që mund të bëhet është të dëgjohen, dhe më pas të jepen shpjegime. Pedagogët kanë pretendime për autonominë e universitetit.
Problemi nuk është për ato ditë që iu vonuan pagat, por problemet e vërteta që ka ky universitet. Në UT ka kapacitete të mëdha, pedagogët e UT duhet të quhen elitë, dhe jo kryeministri, apo ministrat tuaj. Dhe së dyti për artistët. Ka një histori që ka lidhje me ju z.kryeministër, që kur ishit ministër Kulture, dhe donit të ndërtonit teatër me kullë. Dhe këtë doni të bëni dhe sot. Nuk i bindni dot ju artistët, se i keni gënjyer njëherë. Kontradiktën me ju ata e kanë për Ligjin për Artin. Se nuk janë dëgjuar asnjëherë. Artistët janë pala e interesuar për Ligjin për Artin, dhe deri më tani nuk janë dëgjuar. Kur të fillosh të presësh ‘koka’, duhet të përballesh edhe me reagimin e tyre”, u shpreh deputeti Spaho.