Nga Namir Lapardhaja
Erjon Veliaj nuk ngjiti asnjëherë te PS-ja. Një politikan i ardhur nga ‘shoqëria civile’, e cila kishte kontribuar për të rrëzuar të majtën nga pushteti, ishte një eksperiment që nuk ngjiti asnjëherë. Pavarësisht lidhjes së tij të shkurtër me Edi Ramën, ashtu siç ndodh rëndom në politikën shqiptare, Veliaj ishte gjithmonë ‘mishi i huaj’ te socialistët. Drejtimi i tij i Bashkisë së Tiranës ka krijuar një klientelë të fuqishme ekonomike dhe mediatike, e cila nuk është e lehtë ta ‘dorëzoj’ në gojën e ujkut, mirëpo në kushtet ku ndodhet as vetë Edi Rama nuk ka mundësi ta ndihmojë dot. Lufta e brendshme mes tij dhe Ballukut, maksimumi që mund të bëjë, është t’i lëshojë disa ‘lehës’ që ushqehen nga Balluku kundër Veliajt, ashtu sikurse vetë Veliaj bënte kohë më parë ndaj Saimir Tahirit, por kaq. Përtej luftës së brendshme, ‘elefanti në politikë’ është SPAK-u, edhe pse një pjesë vijojnë të besojnë se janë në gjumë dhe thonë ‘bëje Zot ëndërr’. Nuk është ëndërr, është realitet. Të mos flasim këtu për qesharakët që pretendojnë se po e arrestojnë Veliajn protestat e tyre me nga 50 vetë përpara Bashkisë së Tiranës. Ata janë shndërruar në meme. Për ta, Veliaj rri në pushtet edhe 50 vjet. Thirrja e kryetarit të bashkisë së Tiranës në SPAK, ngushton rrethin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës. Pas Veliajt loja është e hapur për të gjithë ministrat dhe ish-ministrat e Ramës, përfshi edhe Ballukun, që nuk do jetë e largët dita që do të lihet e lirë në fatin e saj për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme. Qershia mbi tortë do të jetë Rama, por deri atëherë makineria bluajtëse e korrupsionit ka material të bollshëm.
Për SPAK-un, këtë politikanët e korruptuar të Tiranës, do duken si fiqtë e shtypur në fund të çantës.