Spal në gjurmët e Albian Ajetit

Spal klubi i sapongjitur në Serinë A italiane kërkon të ribashkojë vëllezërit Ajeti. Pas Arlind Ajetit, për të cilin ka shfaqur interes prej kohësh, skuadra nga Ferrara, ka nisur bisedimet me St Gallen për të transferuar në stadiumin “Paolo Mazza”, edhe vëllain më të vogël të mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Albian Ajetin. Drejtuesit e Spal kërkojnë të përforcojnë sulmin me lojtarë cilësorë, por në të njëjtën kohë që këta futbollistë të jenë edhe të rinj premtues për të ardhmen dhe Albian Ajeti është njëri prej tyre.
Spal ka ndjekur me vemendje paraqitjet e 20-vjeçarit shqiptar me fanellën e St Gallen në sezonin e fundit të Superligës zvicerane dhe po bëjnë gati një ofertë që klubi helvet të lejojë largimin e një prej lojtarëve më të mirë që ka në skuadër. Ish-lojtari i Baselit dhe Augsburgut, në kampionatin e fundit shënoi 10 gola në 29 takime me St Gallen në Zvicër, duke ngjallur interesimin e klubeve të rëndësishme në Europë që kërkojnë të kenë shërbimet e tij. Lajmi që Spal interesohet për talentin shqiptar është publikuar nga faqja e specializuar Tuttomercattoweb. Mbetet për t’u parë tashmë se çfarë hapash konkret do të bëjnë drejtuesit e Spal për të firmosur me Albian Ajetin.

Exit mobile version