Shqipëria do të sfidojë Kilin në miqësoren e parë pas kualifikimit në Europian. Të gjithë tifozët mezi presin të shohin edhe njëherë në fushë Kombëtaren.
Trajneri Silvinjo ka bërë një punë të mrekullueshme duke ndërtuar një ekip shumë të fortë, gjë të cilën e konfirmojnë shifrat.
Shqipëria nuk pëson një humbje që nga 27 marsi, që nga sfida kundër Polonisë, e para në kualifikueset “Euro2024”.
Kuqezinjtë vijnë në këtë miqësore pas 5 fitoreve dhe 3 barazimeve në tetë ndeshjet e fundit. Ajo që bie në sy është fakti që braziliani ka ndërtuar një ekip shumë të balancuar, një skuadër që në këto tetë ndeshje ka shënuar 14 gola dhe kanë pësuar vetëm 3.
Miqësoret kundër Kilit dhe Suedisë do t’i shërbejnë Silvinjos për të krijuar një ide akoma më të qartë mbi ekipin që do të marrë në Europian.