Huadhënia për ekonominë është futur në një ngërç vitin e fundit. Statistikat e Bankës së Shqipërisë, të publikuara tregojnë se në shtator, stoku i huasë shënoi një rënie të lehtë me 475 milionë lekë në raport me muajin e mëparshëm, duke arritur në 546.3 miliardë lekë. Në raport me dhjetorin e vitit 2015, stoku i huasë për ekonominë është rritur vetëm me 0.2%.
Banka e Shqipërisë ka përmirësuar publikimin e saj për ecurinë e kredisë, duke e dhënë atë të ndarë sipas afatit, monedhës dhe madhësisë së biznesit.
Sipas të dhënave, rezulton se është biznesi i madh ai që ka ulur stokun e huasë në valutë, duke ndikuar në stanjacionin e gjithë kreditimit të ekonomisë, ndërsa huaja në lekë po për këtë sektor ka rezultuar me rritje të lehtë.
Më herët, Banka e Shqipërisë bëri të ditur se huaja për bizneset në valutë po rezultonte më problematike dhe po njihte rritje të shpejtë muajt e fundit, duke iu afruar 25% (nga 21% që është treguesi i kredive me probleme për totalin) çka duket se ka frenuar huatë e reja, kryesisht në euro.
Për herë të parë gjatë muajve të fundit, në shtator ka rënë dhe huaja afatshkurtër dhe afatmesme për individët, që ishte segmenti i vetëm që po njihte rritje të shpejtë, ndërsa huaja afatgjatë për individët (mbi 5 vjet) ka rezultuar me rritje të lehtë.
Sipas afatit, huaja afatmesme (nga 1 deri në 5 vjet) ka rënë me 266 milionë lekë, ajo afatshkurtër është rritur me 112 milionë lekë, ndërsa kredia afatgjatë (mbi 5 vjet) që merret kryesisht për investime, ka rënë me 322 milionë lekë.
Ecuri pozitive ka pasur huaja për biznesin e vogël, që është rritur me 2.5 miliardë lekë në shtator, në raport me muajin e mëparshëm.
Edhe kredia për biznesin e mesëm është zgjeruar me rreth 1 miliard lekë, ndërsa ajo për biznesin e madh është tkurrur me rreth 3.2 miliardë lekë. Huaja për bizneset e mëdha zë peshën kryesore të huadhënies në ekonomi, me 36% të totalit.