Studentët e universiteteve publike në vend kanë paralajmëruar sot një protestë masive përpara Kryeministrisë. Ashtu sikur edhe dje, ata i bënë thirrje qytetarëve shqiptarë që të jenë të pranishëm në këtë protestë paqësore. Rreth orës 09:00 studentët nisën të mblidhen nëpër fakultetet e tyre, ndërsa kanë gjetur forma të veçanta, duke vendosur shirita apo dhe zinxhirë nëpër dyert e këtyre institucioneve, për të pezulluar kështu mësimin.
Pavarësisht thirrjeve, ata kanë nënvizuar faktin se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa shtojnë se do vazhdojnë protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.
Studentët kanë pohuar se tubimi nuk do të marrë ngjyrime politike.
Ditën e sotme po ashtu është paralajmëruar edhe një takim në Rektorat me studentët, ndërsa nuk dihet nëse këta të fundit do të shkojnë. Ndonëse prej 13 ditësh të rinjtë që vazhdojnë arsimin e lartë në Tiranë, dhe jo vetëm, protestojnë, kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur të rinjve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut.
Ora 10:20 Studentët e Arkitekturës bllokojnë ’21 Dhjetorin’
Studentët e Arkitekturës dhe Urbanistikës pasi u mblodhën tek fakulteti, nisën marshimin e tyre, ndërsa në shenjë proteste bllokuan kryqëzimin e ‘21 dhjetorit’. Studentët do të qëndrojnë aty për gati 30 minuta. Gjatë qëndrimit në këtë pikë strategjike, për lëvizjen dhe qarkullimit të mjeteve, studentët këndojnë në kor himnin kombëtar.
Ora 10: 00 Ndërsa pritet të nisë protesta e studentëve e cila sot hyn në ditën e 13 të saj, forca të shumta policie kanë rrethuar kryeministrinë.
Ora: 09:45 Studentët paralajmërojnë grevë urie
Teksa pohojnë se do të ketë përshkallëzim të protestës, studentët kanë paralajmëruar grevë urie. Një prej studentëve të Politeknikut tha për gazetarin Erjon Skëndaj se nëse sot nuk plotësohen kërkesat e tyre, ata do të ngujohen brenda Politeknikut dhe më pas do të hyjnë në grevë urie.
Ora 09: 43 Studentet: Përshkallëzim
Nga ambientet e Universitetit Politeknik një prej studenteve tha për gazetarin Erjon Skëndaj se ditën e sotme do të ketë përshkallëzim të protestës. “Ne kemi vendosur që të mblidhemi tek fakultetet tona dhe të bllokojmë ato. Më pas do të nisemi drejt Kryeministrisë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë sot, por di të them se turma vendos. Nuk duhet të ngatërrohen me rininë, ne jemi e ardhmja e këtij vendi. Kërkesat tona janë elementare”, tha studentja.
Ora 09:20: Studentët bllokojnë hyrjet e fakulteteve
Rreth orës 09:00 studentët kanë nisur të mblidhen nëpër fakultetet e tyre, ndërsa kanë gjetur forma të veçanta sipas tyre, duke vendosur shirita apo dhe zinxhirë nëpër dyert e këtyre institucioneve.