Studentët ultimatum Ramës: Nëse deri nesër në orën 16:00 nuk thërrisni parlamentin do bëjmë protestë kombëtare

Teksa qëndrojnë poshtë zyrës së Ramës, studentët i kanë bërë thirrje Parlamentit që të zhvillojë të shtunën (nesër) një seance të jashtëzakonshme për të shqyrtuar kërkesat e tyre. Ata i kanë dhënë ultimatum kreut të qeverisë që të thërrasë deputetët nesër deri në orën 16:00, në të kundërt, kërcënojnë ata, do të bëjnë protestë kombëtare. “Thërrisni deputetët. Të flitet aty për ne. Jemi të vendosur, nuk na përçan dot. Nëse deri në orën 16:00 nuk thërrisni parlamentin në shesh nuk do janë vetëm studentët. Do bëjmë protestë kombëtare”, pohojnë njëzëri protestuesit.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur studentëve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut. Presidenti Ilir Meta riktheu serish në Kuvend ligjin për buxhetin 2019, me qëllim që t’u jepet mundësi plotësimit të kërkesave të studentëve.
Sot protesta e studentëve hyn në ditën e dhjetë. Disa prej tyre nuk i janë ndarë për asnjë moment protestës duke e gdhirë tërë natën në të ftohtë e shi para Kryeministrisë.
Siç kishin paralajmëruar, studentët u mblodhën sërish në Fakultetet e tyre për të marshuar më pas drejt godinës së kryeministrisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Kushtet e këqija atmosferike nuk i kanë penguar aspak studentët të protestojnë. Duke folur për gazetaren Klodiana Lala, disa studentë thanë se nuk do i ndahen protestës, ndërsa prej ditësh kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave.

Exit mobile version