Studentët vijojnë protestën para kryeministrisë duke sfiduar temperaturat e ulëta nën zero grandë duke kërkuar me ngulm plotësimin e 8 kërkesave të tyre. Studentët në mënyrë individuale morën disa fuçi dhe dru për t’u ngrohur, por policia tentoi t’i pengonte. Kjo nuk është ndaluar dot. Studentët ia dolën që lëndën drusore ta sillnin në rrethin e tyre. Ata kanë marrë edhe ushqim dhe ujë.
Studentët shprehen se do të vijojnë të rrinë para kryeministrisë deri në përmbushjen e kushteve.
“Tarifat në shkollën tonë janë shumë të larta rreth 400 mijë lekë dhe duhej paguar në këto kohë. Një kredit tarifohej në 6700 lekë të vjetra. Kam dhjetë ditë që rri në këmbë këtu. Do të vazhdoj të rri këtu. Nuk dua të përballem me padrejtësitë. Familja ime sakrifikon shumë për studimet e mia. Kam patur një mbështetje nga prindërit, familjarët. Por edhe një zonjë na ka sjellë petulla të vogla dhe më kujtoi mamin tim. Nuk do shkoj të dialogoj me të. Ka tetë kërkesa, janë të thjeshta. Kërkesat tona mund t’i bëj me një firmë”, tha një studente e Arkitekturës.
Ndërsa një student tjetër deklaroi se sfidë për ta janë temperaturat e ulëta, ndërsa shtoi se rreziku më i madh është se mund të pësojnë të ftohur.
“Sot është dita e dhjetë që rri këtu. Edhe sot një pjesë e protestuesve do ta gdhijë para kryeminstrisë. Nuk mund t’i vëmë fajin policëve sepse marrin urdhrat. Të gjithë na mbështesin, duke filluar nga fëmijët e deri tek pleqtë”, shtoi ai.
Studentët me këmbëngulje po zhvillojnë protestën e tyre më të fuqishme që nga viti 1990, që nuk ka shënuar asnjë xham të thyer dhe ka përfunduar gjithmonë me pastrimin e sheshit të protestës.