Suarez: Neymar do të bëhet më i miri në botë

Luis Suarez foli me superlativa për Neymar në një intervistë të dhënë për mediat braziliane. Fituesi i Këpucës së Artë në Primera Division, siguroi se 24-vjeçari i ka të gjithë premisat për t’u bërë lojtari më i mirë në botë.
“Neymar është i përulur dhe një shok shumë i mirë. Unë dhe ai e kemi shpeshherë që Lionel Mesi mbetet më i miri në botë, por Neymar po e kupton se shumë shpejt do të jetë ai më i miri, sepse i ka të gjitha cilësitë. Ka mësuar shumë te Barcelona dhe kjo dallohet te ndryshimi që ka pësuar që nga dita e parë, kur u bë pjesë e klubit. Neymar është një futbollist i klasit botëror dhe ka mësuar shumë nga eksperienca në Europë”, u shpreh Suarez.
Por nuk janë vetëm cilësitë sportive të Neymar që i bëjnë përshtypje sulmuesit uruguajan. “Neymar bën gjithçka për ta shijuar jetën, është i qetë, hokatar në dhomat e zhveshjes, i lumtur dhe i shfrytëzon më së miri ato që i ofron jeta. Ai qesh me gjithçka. Nganjëherë nuk e kupton atë që themi dhe përsëri qesh. I ka shumë fiksim flokët, madje mund të them se është manjak në këtë aspekt”, tha ai.
Suarez tregon edhe sekretin e funksionimit në perfeksion me treshen sulmuese blaugrana. “Ndihemi mirë dhe nuk e kemi zili njëri-tjetrin. Unë erdha te Barcelona për të ndihmuar ekipin dhe jo për të bërë protagonistin. Besoj se edhe Neymar ka të njëjtin mendim”, përfundoi Suarez.

Exit mobile version