Te Milani betohen

Zhgënjimi i Milanit në kampionat ka një rrugëdalje për t’u lënë në harresë. Kuqezinjtë mund të fitojnë Kupën e Italisë dhe lojtarët zotohen se do t’ia dalin mbanë. Shpërthimi i trajnerit Kristian Broki pas ndeshjes së fundit duket se ka shërbyer për të karikuar më tepër futbollistët, në pritje të duelit me Juventusin, më 21 maj.
Sulmuesi ka arritur të riaftësohet në kohë dhe do jetë në dispozicion për të luajtur ndaj Juves. “Dua të jem titullar dhe të ndihmoj Milanin që të fitojë Kupën e Italisë. Është mënyra më e mirë për të shpëtuar këtë sezon. Skuadra është e gjitha e motivuar. Mos harrojmë se në dy ndeshjet në kampionat, sidomos në “San Siro” e vumë shumë në vështirësi Juven. Prandaj, edhe finalen duhet ta luajmë me atë shpirt luftarak, nëse duam që të fitojmë. Broki? Kemi pasur një bisedë me të, por tani na takon neve që të reagojmë”, deklaroi Niang.
Mesfushori i Milanit Xhakomo Bonaventura u shpreh se, ndeshja me Juven është më shumë se një ndeshje. “Kemi në dispozicion vetëm 90 minuta, për të minimizuar disi gabimet që kemi bërë në kampionat. Ndeshja me Romën nuk ishte aspak pozitive dhe solli mjaft polemika. Gjithsesi, jemi përqendruar vetëm te përballja me Juventusin. Është më shumë se një ndeshje për ne. Duhet t’ia shpërblejmë si trajnerit tonë, ashtu edhe tifozëve. Jemi të aftë për t’ia dalë mbanë, ndaj nuk kemi pse të dështojmë. Unë po mendoj largimin? Për momentin jam i përqendruar vetëm tek e tashmja, ndërsa për të ardhmen kemi kohë për të menduar”, tha mesfushori i Milanit.
Ndërsa, Alesio Romanjoli tha se, grupi është më i bashkuar se kurrë. “E dimë që kemi qenë dobët, madje shumë dobët. Kemi edhe një mundësi të fundit, të cilën nuk duhet ta shpërdorojmë. Kam parë një grup më të bashkuar se kurrë dhe kjo më pëlqen”, deklaroi mbrojtësi. I pyetur mbi sulmin e Juventusit, ku luajnë emra si Dibala dhe Manxukiç, ai shtoi: “Janë futbollistë shumë cilësorë, por unë nuk u trembem individëve. Është e gjithë Juvja që të tremb, pasi kanë forcë të madhe si grup, kuptohen shkëlqyeshëm me njëri-tjetrin, janë të fortë psikologjikisht dhe bëhet fjalë për një trofe. Gjithsesi, për të gjithë ne te Milani do jetë emocionuese që ta mbyllim me festë. Në të kundërt, do ishte me të vërtetë një zhgënjim shumë i madh. Një edicion plotësisht i dështuar”, përfundoi ai.

Exit mobile version