Moska kreu një sulm me raketa në Kiev në orët e para të së dielës, ndërsa Polonia njoftoi se avionët luftarakë ishin dërguar me shpejtësi në juglindje të vendiit.
Të paktën tre persona u plagosën dhe disa zjarre shpërthyen në Kiev pas një sulmi me raketa ruse, tha kryebashkiaku dhe administrata ushtarake e kryeqytetit ukrainas.
Zjarret u raportuan në të paktën tre rrethe të Kievit, tha kryebashkiaku Vitaly Klitschko në një postim në Telegram.
“Shpërthime në kryeqytet. Mbrojtja ajrore po funksionon. Qëndroni në strehimore!” tha kryebashkiaku përmes Telegramit. Më pas ai shtoi se shërbimet e reagimit emergjent u thirrën dhe shkuan në të paktën tre rrethe të Kievit.
Zjarret shpërthyen dhe të paktën tre persona u “lënduan”, shtoi zoti Klitschko.
E gjithë Ukraina ishte në gatishmëri ajrore pasi Forcat Ajrore të vendit paralajmëruan për një sulm, duke përfshirë zonat në kufi me Poloninë, duke e detyruar anëtarin e NATO-s të “ngrejë” avionët për të garantuar sigurinë ajrore.
Në përgjigje, komanda e operacioneve të forcave të armatosura të Polonisë tha se avionët luftarakë polakë dhe aleatë ishin ngritur me shpejtësi në Poloninë juglindore për shkak të sulmeve raketore ruse në Ukrainën perëndimore.
Ngritja e nxituar e avionëve u vendos “për shkak të intensitetit të aktivitetit të aviacionit të Federatës Ruse” dhe qëllimi është që avionët të “garantojë sigurinë” në sektorët e territorit polak ngjitur me zonat e synuara të Ukrainës, shpjegoi ai përmes X.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se njësitë e mbrojtjes ajrore kanë kapur dhe shkatërruar 11 dronë ukrainas gjatë natës. Ata u qëlluan në rajonet kufitare të Kursk dhe Belgorod, si dhe në rajonin jugor të Rastov, tha ministria përmes Telegram.
Yuriy Slyusar, ushtruesi i detyrës së guvernatorit rajonal të këtij të fundit, raportoi më herët përmes Telegramit se nuk u raportuan të lënduar, por mbeturinat nga një mjet ajror pa pilot ranë në ndërtesat e administratës publike në një rajon.
Sulmet e së dielës në Kiev erdhën pasi zyrtarët në rajonin jugor të Mykolaiv thanë se tre persona u plagosën në sulmet ruse. Një ditë më parë, një sulm rus vrau të paktën 19 persona, përfshirë nëntë fëmijë, në qytetin ukrainas Kryvyi Rih. Të dyja palët mohojnë të kenë shënjestruar civilët në luftën që Rusia nisi me një pushtim të plotë të fqinjit të saj më të vogël tre vjet më parë.