Tahiri dhe prokurorja Kapo fshehin armët e Durim Bamit

PD denoncoi dje ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri si të kapur në një tjetër aferë kriminale. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, deklaroi dje gjatë një konference për median se Durim Bami, i cili ndodhet në arrest shtëpie është kapur në një lokal në Nikël me armë pa leje dhe me antiplumb, por është lënë i lirë nga policia e Tahirit. Alibeaj deklaroi se Bami është ndihmuar nga vetë shefi i komisariatit Erjon Ismaili, pjesë e grupit të besuar Shullazi-Tahiri.
“Saimir Tahiri është kapur në një tjetër aferë kriminale. Duke ofruar shërbimin e tij, ka garantuar paprekshmëri për Durim Bamin, i cili u denoncua nga qytetarët pasi më 21 maj, në orën 17:00, ky i fundit ishte në një lokal në qendër të Niklës, i pajisur me armë pa leje e me veshje antiplumb, edhe pse gjendet nën masën e sigurisë arrest shtëpie dhe e ka të ndaluar me vendim gjykate të dalë nga banesa. Dhe është pikërisht policia e Tahirit që duhet të garantojë zbatimin e këtij vendimi gjykate”, u shpreh Alibeaj.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj tha më tej se, me ndihmën e shefit të komisariatit, Erjon Ismaili, pjesë e grupit të besuar Shullazi-Tahiri, Bamit i janë ofruar lehtësi. “Një nga ushtarët e tij është paraqitur dhe është lejuar ta marrë përsipër ai, përgjegjësinë për armët dhe pajisjet e tjera të paligjshme. Kështu Bami i shpëtoi procedimit, me një ndërhyrje të kontrolluar nga fillimi deri në fund prej Saimir Tahirit. I akuzuari si vrasës me pagesë nga vetë radhët e mazhorancës, i dyshuari për vepra të rënda penale, është një njohje e vjetër e Saimir Tahirit”, deklaroi Alibeaj.
Sipas Alibeajt, Saimir Tahiri ka ndërmjetësuar e ka kuvenduar me të privatisht në zyrën e ministrit të Brendshëm, në plazhe e rezidenca qeveritare. “Bami mbajti qëndrimin e duhur në kohën kur u akuzua se ishte pajtuar nga Meta për të vrarë dy deputetë, qëndrim që solli mbylljen e çështjes dhe ndihmoi Ramën për të kapërcyer krizën e madhe politike, ndaj sot shpërblehet nga Saimir Tahiri me paprekshmëri e me leje për të qarkulluar i armatosur. Kjo është një tjetër dëshmi e lidhjes së Saimir Tahirit me krimin. Dëshmi e marrëdhënies së ngushtë që ai ka me banditë, trafikantë e vrasës”, tha Alibeaj gjatë konferencës për median.

Në vend të Bamit arrestohet Lorenc Xhaja

Denoncimi për skandalin e policisë me Durim Bamin u denoncua një ditë më parë nga ish-Kryeministri Berisha. Ka qenë një qytetar që i ka shkruajtur Berishës se Durim Bami është kapur me armë dhe antiblumb në një lopkal në Nikël, por në vend të tij është arrestuar një i afërmi i tij, Lorenc Xhaja. Qytetarët dixhital denoncojnë: Bashkëpunimin e çunave të krimit, por dhe të prokurorëve me krimin, shndërrimin e tyre në ushtarë të Durim Bamit. Për më hollësi lexoni mesazhet e tyre! Sb”, shkruan Berisha, duke publikuar mesazhet e dy qytetarëve.
“Përshëndetje i nderuar! Desha t’ju informoj se më datë 21.05.2016 rreth orës 17:00 në një lokal në qendër Nikël është kapur me armë pa leje, antiplumb dhe disa sende të tjera të kundraligjshme shtetasi Durim Bami dhe me ndërhyrjen e prokurores së gatshme të rrethit Krujë, Mirela Kapo, ky shtetas nuk është arrestuar, por ai ka thirrur me telefon një ushtar të besuar të tij të quajtur Lorenc Xhaja po nga Nikla, i cili ka marrë përsipër armën dhe është arrestuar në vend të Durimit me premtimin se do lirohet së shpejti.
Mirela Kapo është bashkëshortja e Entjon Kapos, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe nipi i Hysni Kapos”, shkruan qytetari.
“Policia mbrëmë tha është arrestuar Lorenc Xhaja, i forti i Krujës në fshatin Verjon të Komunes Nikël. Ky është mashtrim se në atë lokal ka qenë duke pirë personi në arrest shtëpie Durim Bami dhe dy policët e shërbimit dhe kushërijtë e tij. Lorenc Xhaja është nga fshati Qenam i Njësisë Administrative Zall Herr dhe është burri i mbesës së Durim Bamit. Janë arrestuar 6 persona, por policia tha 1. Janë prishur kamerat e lokalit të shtetasit Ndriçim Doku, që mos të shikohet kush ka hyrë në lokal ku çdo ditë aty bëhen pazaret e hashashit dhe frekuentuesit janë njerëz vip të botës së krimit dhe drejtues pushteti”, shkruhet në mesazhin e qytetarit tjetër.

R.POLISI

Exit mobile version