Përzgjedhja e Ramës për zëdhënësen e re të Kryesisë së PS nuk mund të ishte e ndryshme. Ai ka zgjedhur Spiropalin. Përfaqësuese që vjen me denoncime publike si e implikuar në afera miliona eurosh për kontrabandën dhe gropën në Dogana.
Nuk mund të kishte zgjedhje tjetër Rama. E gjithë PS është bërë një kazan ku kudo që të kërkosh nuk mund të dalin më të pastër se një kontrabandiste e Doganave. Kjo zgjedhje e Ramës e ka një arsye. Vetëm tek njerëz të tillë mund të ketë besimin e duhur, pasi dosjet e së shkuarës nuk i lënë të ngrenë kokën.
A mund të kishte Kryesia e PS figura më të pastra politikisht për t’i përfaqësuar? Natyrisht përderisa puna ka arritur tek Spiropali mund të hamendësohet se nuk ka pasur. Por, emërimi i tyre si pjesa me ndotjen më të vogël në atë Kryesi të bën të mendosh se çfarë përfaqësojnë të tjerët. Spiropali ka qenë zëdhënësja më e mirë e kontrabandës në Dogana dhe tani është simboli i PS.
Ku shkuan 96 miliardë lekët?
Deri në gushtin e një viti më parë kur Spiropali u detyrua të largohej nga Drejtoria e Doganave arkës së shtetit i mungonin 130 milionë dollarë duke përfshirë këtu edhe tatimet, por peshën më të madhe në këtë humbje e kishin doganat me 96 miliardë lekë.
Askush nuk hetoi se ku kanë përfunduar ato para. Ku janë paratë që mungojnë nga ky krim ekonomik? Kryetari i PD, Basha i kërkoi atëherë Prokurorisë që të hetojë se ku kanë përfunduar këto para që duhet të ishin në arkën e shtetit. Prokuroria heshti. Nuk ka asnjë hetim, ndonëse gjurmët e këtij krimi ekonomik janë të tmerrshme. Dhe meqenëse ai krim nuk u hetua asnjëherë dhe autorët e këtyre megavjedhjeve nuk dolën para drejtësisë, ata prej ditësh po dalin përpara në oborrin e PS si funksionarë të lartë të kësaj partie.
Nëse do të kishim një hetim të pasurisë së sotme të Spiropalit natyrisht do të kuptonim edhe mekanizmin e vjedhjes gjigante në Dogana. Spiropali nuk hetohet, sepse ka mbështetjen e Ramës dhe këtu Prokuroria stepet. Rama ishte ai që e katapultoi në krye të Doganave dhe kur kuptoi se ajo kishte përfituar shumat prej miliona eurosh nga skemat korruptive e largoi si drejtoreshë të Doganës dhe e katapultoi në një post politik si ai i këshilltares në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ndërsa pak ditë më parë edhe si zëdhënëse të Kryesisë së PS. Po përse duhej të ngrihej politikisht Spiropali nga Rama, ndërkohë që ky i fundit e dinte shumë mirë skemën e vjedhjes në Dogana? Arsyeja është e thjeshtë, sepse Spiropali ka qenë vetëm një shërbëtore që ka zbatuar urdhrat për të favorizuar klientelën për llogari të Ramës.
Rama është personi, i cili në një komunikim të ngushtë me njerëzit e tij të besuar kur ka kërkuar largimin e Spiropalit ka dhënë edhe arsyen se përse. Ai ka treguar me 5 gishtat e dorës shumën që Spiropali ka përfituar gjatë 16 muajve në krye të Doganave. Pra, 5 milionë euro, sqarojnë burimet të afërta me Ramën.
Skema e vjedhjes së Spiropalit në Dogana me bashkëshortin
Disa struktura të informacionit i kanë raportuar numrit një të qeverisë se një grup doganierësh, që njihej si “grupi i drejtoreshës” i kishin hapur rrugë kontrabandës, duke përfituar shuma të mëdha në mënyrë korruptive. Kështu, pas shumë vitesh ndërprerje, iu hap rruga zhdoganimeve fiktive të mallrave që vinin nga Kina, ku mendohet se për një maune abuzimi shkonte rreth 30-40 mijë euro. Deklarimi i ndryshëm nga ai i mallit që hyn në Shqipëri, i hapte rrugë një korrupsioni të pastër, ku ishin të përfshirë një zinxhir funksionarësh publikë, nga doganierët e thjeshtë tek drejtorët e turnit, shefat e degëve e deri në zyrat qendrore në Tiranë. Bashkë me mallrat kineze, nuk mungonte edhe futja e cigareve kontrabandë dhe mjaft shkelje të tjera. Grupi i përfshirë në këto afera ishte aq i mbrojtur sa në një moment të caktuar, kjo masakër në Dogana bëhej thuajse hapur fare dhe me arrogancë. Deri ditën kur kupa jo vetëm u mbush, por filloi të derdhej.
Pjesë e kësaj skeme ishte edhe bashkëshorti i Spiropalit, Bitri. Vjedhja e milionave eurove nga Doganat nxiti edhe lidhjen e dashurisë mes çiftit. Bitri njihej si sekseri i punëve të pista në Dogana dhe realizonte skemën e kalimit të parave jo në arkën e shtetit, por në xhepat e ish-drejtoreshës dhe shefit të saj në qeveri.
Bilanci i Doganave
Në fund të gjashtëmujorit të vitit të kaluar, kohë që përkon edhe me detyrën e ish-drejtoreshës së Doganave, Spiropali të ardhurat nga administratat fiskale ishin 13.4 miliardë lekë më pak se plani i periudhës. Sipas të dhënave të detajuara, në këtë mosrealizim 68% është pesha e doganave (-9.1 mld lekë) dhe 32% pesha e tatimeve (-3.4 mld lekë). Doganat mblodhën 12.2% më pak se, plani me 9,1 miliardë lekë të munguara.
Sipas të dhënave që publikoi Ministria e Financave për muajin janar, doganat shqiptare kishin arkëtuar 342 milionë lekë më pak sesa janari i vitit të kaluar ose 3.7% më pak. Një tjetër çështje që ka shkaktuar pakënaqësi për punën e Spiropalit ka qenë edhe një numër i madh denoncimesh për korrupsionin në portalin “Stop Korrupsionit”. Aty flitet për mangësi dhe për emërime nepotike.
Zhdoganimi i karburanteve rënie historike me 21%
Zhdoganimet e karburanteve njohën nivelin më të ulët të tre viteve të fundit. Deri në muajin prill të vitit të kaluar, kur Elisa Spiropali kishte ende në drejtim Doganat, sipas të dhënave nga Ministria e Financave importet e karburanteve shënuan një rënie prej 21 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkak kryesor për këtë rënie mbetej ulja e konsumit në tregun vendas, kryesisht nga çmimet e larta të hidrokarbureve në vend. Për shkak të barrës së lartë fiskale, Shqipëria ka humbur konkurrueshmërinë rajonale me çmimet e naftës, të cilat në vendet fqinjë janë 20 për qind më lirë se, në tregun vendas. Kjo diferencë në çmime ka bërë që mjetet e tonazhit të rëndë si autobusët, kamionët etj., të furnizohen në Malin e Zi, Kosovë dhe Maqedoni. Kjo ka ndikuar edhe konsumin e hidrokarbureve në tregun vendas me gati 13 mijë tonë më pak se, në janar–shkurt 2014. Rënia e xhiros këtë vit është konfirmuar edhe nga pikat e shitjes me pakicë të hidrokarbureve. Nga ana tjetër të ardhurat nga tatimet dhe doganat rezultojnë të jenë në nivelin më të ulët të shënuar ndonjëherë. Duke ju referuar të dhënave që vijnë nga vetë Ministria e Financave të ardhurat prej këtyre zërave rezultojnë të jenë rreth 8.6% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në të vërtetë, dobësitë e shfaqura qysh në vitin 2014 në mbledhjen e të ardhurave doganore arritën kulmin në muajin mars të 2015 (periudhë ku Spiropali ishte në krye të këtij institucioni), ku të ardhurat ranë me 32,5% në raport me planin, duke shënuar një rekord në mosrealizimet e njohura deri më tani. Rënia është e madhe edhe krahasuar me faktin e vitit që shkoi. Në muajin mars 2015 doganat grumbulluan 14.7 për qind më pak të ardhura se një vit më parë. Si tremujor, të ardhurat shënuan rënie 11.5 për qind në raport me planin e 2015 dhe 6.9 për qind krahasuar me faktin e 2014.
PD: Elisa e traut të ngritur duhej të ishte në kaushin e plehrave
PD ka reaguar përmes një deklarate të ashpër ndaj ish-drejtoreshës së Doganave, Elisa Spiropali e cila përmes një deklarate për mediat foli për dekriminalizimin ndërsa tha se asnjë i inkriminuar nuk gjendet brenda radhëve të PD. Përmes një reagimi për mediat, PD i kujton Spiropalit vjedhjen e 5 milionë eurove në kohën kur drejtonte Doganat. “Nuk mund të gjente Edi Rama person më të përshtatshëm për të bërë gargarë me jargët e tij, se sa Elisën e traut të ngritur, që krekoset nëpër tavolina miqsh se ka bërë 5 milionë euro për një vit në Dogana. Po ç’turp mund të ketë Rama dhe Elisa e tij që hapën gropën më të madhe në historinë e doganave me 1 milion dollarë vjedhje në ditë? Syri ju sheh vetëm para, dollarë, euro, ndaj nuk arrijnë të dallojnë vrasësit, tutorët, trafikantët, nga një aksident rrugor 24 vite më parë. Elisa e traut të ngritur u përdor dhe sot për të vënë barazinë mes krimeve të tmerrshme e çnjerëzore të Frrokut, Nokës, Bushit, Roshit, Prengës, Bardhit, me arratisjen nga Shqipëria e Ramizit. Elisa e traut të ngritur duhej të ishte në kaushin e plehrave për evazion, por me Ramën atë s’e kap drejtësia. Drejtësia do të bëhet, dekriminalizimi do të bëhet dhe jargët që dalin nga selia e Ramës nuk e pengojnë dot” thuhet në reagimin e Partisë Demokratike,
Arben SHAHINI