Tahiri i drejtohet Gjykatës së Apelit, kërkon pasaportën

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nuk pajtohet me masën e bllokimit të pasaportës vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Me anë të avokatit Maks Haxhiaj, ish-ministri i është drejtuar Gjykatës së Apelit për të shfuqizuar vendimin. Sipas mbrojtësit, gjykatësja Liljana Baku nuk e ka marrë masën bazuar në prova të reja, por mbi dosjen e sjellë nga Prokuroria italiane për çështjen “Habilaj”. Në ankimim sqarohet se, Tahiri nuk ka rrezik largimi jashtë vendit dhe as të prishë provat. Pritet që gjatë javës së ardhshme Gjykata të marrë në shqyrtim kërkesën e deputetit.
Katër ditë më parë, gjyqtarja Liljana Baku dëgjoi e pyeti edhe të dyshuarin Tahiri për vendimin në mungesë të shpallur në 9 dhjetor, që e ndalon të dalë jashtë vendit. Pavarësisht kundërshtimit, Gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e saj për t’i ndaluar daljen jashtë vendit.
Për dy episode, atë të përgjimeve ambientale në Itali, ku Habilajt lakojnë emrin e Saimir Tahirit për dhurata dhe për patentat e gjetura në mjetin e Orest Sotës, ish-ministri tha: “Nuk kam asnjë tromaksje sa i takon dy patentave që janë gjetur në makinë dhe që dy persona flasin për emrin tim. Unë nuk do doja t’ju shikoja ju apo këdo tjetër këtu vetëm, sepse gjenden patenta pa patur asnjë provë tjetër. Kështu janë përmendur edhe emra gjyqtarësh, madje i kryetarit të Gjykatës së Lartë për t’u korruptuar”.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë.
Prokuroria pretendon se në përgjimet e dosjes italiane përmendet emri i Saimir Tahirit, i cili dyshohet se ka ndihmuar grupin e “Habilajve”, në kultivimin dhe trafikun e kanabisit. Gjithashtu, ai ka marrë nga ata pagesa dhe dhurata të ndryshme, të cilat janë përmendur në biseda mes trafikantëve.

 

Exit mobile version