Tahiri, Seiti e Habilaj, një hetim më vete në Katania

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe të tjerë persona në hetim janë pjesë e një dosje të pambërritur në Gjykatë. Gazetari Basir Çollaku shkruan në një postim në Facebook se, dosja që ka ikur për në gjyq të premten në Katania nuk ka emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjithashtu në këtë dosje nuk është ende për gjykim as Nazer Seiti, i quajtur “financieri”, i cili është i arrestuar dhe gjendet në burg në Tiranë. Saimir Tahiri po hetohet veçmas me Nezar Seitin, Sabaudin Çelaj dhe Florian Habilaj nga Prokuroria e Katanias. Deri më tani “pengesë” për të mbyllur hetimet është bërë mosekstradimi i Nazer Seitit nga Shqipëria për në Itali.
“Sot në Gjykatë ka mbërritur dosja për “financierin” nga Italia, ku kërkohet ekstradimi. Hetimi me metoda speciale është shumë i rezervuar në nxjerrjen e të dhënave të dosjes, pasi italianët nuk kanë qenë besimplotë gjatë procesit të deritanishëm. Gjykata do të caktojë një seancë ditët e ardhshme për të vendosur ekstradimin. Ndërkohë i arrestuari e ka dhënë pëlqimin dhe është dakort të gjykohet në Katania”, shkruan Çollaku.

Dosja hetimore

Prokuroria e Katanias ka mbyllur hetimet paraprake për të dyshuarit si pjesëtarë të bandës së Moisi Habilajt. Katër persona, mes tyre ai që njihet si financuesi i bandës, Nezar Seitaj, po procedohen të veçuar. Ndërkohë hetimet paraprake po vazhdojnë për persona të paidentifikuar. Çfarë do të thotë kjo? Shpjegimin e jep avokatja e njërit prej të arrestuarve. Prokuroria e Catanias ka përfunduar të ashtuquajturat hetime paraprake për 15 të hetuar të grupit të drejtuar nga Moisi Habilaj dhe Antonino Riela. Por hetimet vazhdojnë për persona të tjerë, të paidentifikuar. Për këta 15 persona Prokuroria u ka vënë në dispozicion avokatëve të tyre dokumentacionin e plotë të hetimit. Çfarë do të thotë kjo? Vinenza Pirracchio është avokate e të njëri prej të akuzuarve, Gianluca Passavantit.
“Me mbylljen e hetimeve paraprake nuk do të thotë që nuk mund te zhvillohen me hetime. Ky moment shërben për mbrojtjen, e cila mund të marrë në zotërim të gjitha aktet, të hetuarit mund të kërkojnë dhe që të merren në pyetje nga Prokurori dhe të japin deklarimet e tyre. Me njohjen e akteve të hetimit të deritanishme, i jepet dhe mundësia për të zgjedhur strategjinë më të përshtatshme të mundshme. Ky vendim nënkupton vetëm këtë gjë. Nuk do të thotë që hetimet nuk vazhdojnë, sepse sigurisht që mund të vazhdojnë dhe nga elementet e mbledhura mund të hapen dhe pista të reja hetimi. Në këtë moment, avokatëve dhe të dyshuarve i vihen në dispozicion të gjitha dokumentet dhe më pas shihet strategjia që do ndiqet. Mund të kërkohet ballafaqimi, ose mund të kërkohet dhe që të gjykohet me aktet si janë, pra pa dëgjuar dëshmitare në një proces publik dhe në këtë mënyrë i ulet 1/3 e dënimit”, tha Vincenza Pirracchio, avokate.
Sipas dokumentit të Prokurorisë së Catanias, që “Top Channel” e disponon, 4 të dyshuar, Nezar Seiti, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Florian Habilaj po hetohen të veçuar nga kjo dosje.
Avokatja Pirracchio shpjegon arsyet: “Mund të jetë që prokurorët, duke verifikuar dokumentet e deritanishme, e kanë parë të paarsyeshme për t’i dërguar për gjykim këta persona. Por në këtë rast, kur po flasim për një organizatë dhe kur prokurorët mendojnë se ajo mund të jetë krijuar në një shtet tjetër dhe ai vend, vijon të mbajë qendrën e aktivitetit kriminal, autoritetet italiane mund edhe të kenë vendosur që për sa i përket atyre pozicioneve, të dërgojë aktet e hetimit për kompetencë autoriteteve të vendit ku dyshohet se pjesa e parë e krimit është kryer”, tha Vincenza Pirracchio.
Pas përfundimit të afatit 20 ditor, pritet që Gjykata e Catanias të caktojë dhe datën e zhvillimit të seancës paraprake, ku do të vendoset nëse të gjithë të dyshuarit do të kalojnë në gjykim apo jo. Enigmë mbeten emrat që janë në fazë paraprake hetimi, që Prokuroria e Catanias nuk i bën publike.

Mbyllja e hetimeve paraprake

Prokuroria e Katanias ka mbyllur hetimet paraprake për bandën e Habilajve. Mediat në Itali shkruajnë se, pjesë e dosjes janë 15 persona, mes tyre edhe Moisi Habilaj jo vetëm se akuzohet si koka e bandës së trafikut të drogës, por është kreu i bandës së trafikut të drogës, por edhe për lidhjet me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Gjatë orëve të fundit me firmën e prokurorit Carmelo Zuccaro, Prokuroria e Katanias ka informuar mbylljen e hetimeve ndaj 15 persona të konsideruar të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Por ndryshe nga vendimi i mëparshëm i muajit tetor i marrë nga Prokuroria e Katanias, në listën e personave të vënë nën hetim janë shtuar emra të rinj e janë hequr emrat e 5 shtetasve shqiptarë.
Me kërkesë të gjykatëses Loredana V.K Pezzini e dorëzuar në Prokurorinë e Katanias më 29.07.2017 dhe e firmosur nga ky institucion më 13 tetor 2017 në kuadër të operacionit “Rosa Dei venti” është kërkuar arrestimi ndaj 12 personave.
Vendimi i marrë gjatë orëve të fundit nga Prokuroria e Katanias ka zyrtarizuar vënien nën hetim vetëm për 7 persona nga kjo listë, duke lënë jashtë saj shqiptarët Florian Habilaj, Sabaudin Çelaj, Armand Sulaj, Nezar Seiti e Tigrens Mezuraj. Shtetasi Nezar Seiti është arrestuar në Shqipëri e po hetohet nga autoritetet shqiptare.
Për herë të parë pas publikimit të lajmërimit të Prokurorisë së Katanias për mbylljen e hetimeve ndaj personave të përfshirë në operacionin “Rosa Dei Venti” mediat prestigjioze italiane si “La Repubblica” përcjellin informacionin se kreu i këtij trafiku droge është kushëri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri, në këtë funksion deri në muajin mars të 2017.
Sipas mediave shqiptare është Prokoruria shqiptare, në bazë të dëshmive të Dritan Zaganit, në fund të muajit tetor që i ka kërkuar Prokurorisë italiane, nisjen e hetimeve ndaj ish-ministrit shqiptar. Ditët në vazhdim e nisja e seancave gjyqësore ndaj personave të hetuar do të jetë përcaktuese mbi këtë skandal që ka përfshirë gjatë muajve të fundit politikën shqiptare.

Exit mobile version