Javë e re, ide e vjetër. Edhe shumë e vjetër jo, por mbetet fakt që në “Casa Milan” kanë nisur audicionet për të gjetur drejtorin e ri sportiv i cili do t’i bashkohej klubit me efekt të menjëhershëm.
Sot duhet të jetë dita vendimtare pasi administratori kuqezi, Xhorxho Furlani do të takojë Igli Taren, ish-drejtor sportiv i Lacios, aktualisht pa një ekip dhe për këtë arsye i gatshëm të fillojë menjëherë punë, ndryshe nga konkurrentët e shqiptarit për të cilët Milani do të ishte i detyruar të priste deri në fund të sezonit, për të ndërprerë ndonjë kontratë siç janë rastet e Xhovani Sartorit dhe Toni d’Amikos, të lidhura respektivisht me Bolonjën e Atalantën. Për ishsulmuesin e Kombëtares sonë, do të jetë takimi i dytë brenda dhjetë ditësh me administratorin kuqezi dhe me gjasë ai që do të përcaktojë të ardhmen e të gjithëve.
TAKIMI I DYTË – Situata te “Djalli” është pak a shumë si më sipër, të paktën kjo është ajo raporton “La Gazzetta dello Sport”, e cila sqaron se shqiptari pëlqehet para së gjithash sepse e njeh shumë mirë Serinë A dhe futbollin italian, duke qenë se ka pasur një eksperiencë shumë të gjatë në Itali si lojtar apo edhe drejtues. Gjatë viteve të tij te Lacio, Tare mësoi të punonte me figura të vështira drejtuese (mbi të gjitha Lotito) dhe kjo është thelbësore, sepse te Milani punohet në grup. Ish-sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë thuhet se është takuar me Xherri Kardinalen dhe Zlatan Ibrahimoviç në Londër një muaj e gjysmë më parë. Me këtë takim të dytë, Furlani dhe Tare do të vazhdojnë diskutimet e nisura ballë për ballë pozitivisht në Romë dhe në këtë pikë ka vetëm dy skenarë të mundshëm: ose të thuhet lamtumirë, sepse njëra nga dy palët (ose të dyja) nuk është e bindur (dhe në atë moment “Djalli” do të shikojë për një kandidat tjetër), ose do të ketë shtrëngim duarsh e si pasojë lënien e një takimi përfundimtar që më pas të nisë puna për sezonin e ri.
Në fakt, Tare është një emër që i vendos dakord të gjithë edhe brenda Milanit. Ai është preferuar që në kohët kur drejtor teknik ishte Maldini, por asokohe shqiptari qëndroi te Lacio, sepse kishte dhënë fjalën. Edhe kohë më parë ishte dhënë si emër nga vetë Ibra që më në fund do ta ketë në krahë për merkaton e verës. Një emërim i mundshëm i Iglit do të rikthente Xhefri Monkadën në rolin e tij të vjetër, që është ai i zbuluesit të talenteve.