Task Forca do të përmbushë misionin e saj për zgjedhje të lira

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija ka garantuar dje se Task Forca do të vijojë me rreptësi mbikëqyrjen e gjithë procesit zgjedhor, me fokus të veçantë në monitorimin e administratës publike në pjesëmarrjen e saj në fushatën elektorale, akt ky i ndaluar me një urdhër ligjor të posaçëm tashmë. Duke marrë shkak nga keqkuptimet e krijuara ditët e fundit lidhur me rolin e Task Forcës të krijuar me nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017” dhe në respekt të frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit institucional të domosdoshëm gjatë periudhës parazgjedhore, zëvendëskryeministrja, Ledina Mandija në cilësinë e kryesuesit të Task Forcës, dëshiron të sqarojë opinionin publik se qëllimi kryesor i krijimit të Task Forcës është koordinimi i punës ndërinstitucionale në funksion të zhvillimit të një procesi zgjedhor të drejtë dhe të qetë. Në këtë kontekst, Task Forca monitoron zbatimin e rregullave ligjore në fuqi nga administrata shtetërore dhe ekzistencën e parregullsive në listat zgjedhore kurdoherë në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor. Në rastet kur nga monitorimi konstatohen raste të sjelljeve apo veprimeve të kundraligjshme, të cilat cenojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Task Forca procedon me njoftimin e institucioneve kompetente ligjore për ndjekjen e mëtejshme të çështjes konform dispozitave ligjore në fuqi. Zëvendëskryeministrja përfiton nga rasti për t’i bërë thirrje të gjithë punonjësve të administratës publike që të jenë në lartësinë e duhur që kjo situatë kërkon, duke përmbushur me profesionalizëm dhe paanësi detyrat funksionale që u ngarkon ligji, jashtë çdo lloj ndikimi politik. Zëvendëskryeministrja Mandija siguron opinionin publik se është dhe do të jetë e vendosur për të përmbushur deri në fund misionin për garantimin e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm.

Mandia apel bashkive dhe prefekturave

Zëvendëskryeministrja në vijim të njoftimit për shtyp të datës 1 qershor 2017 në adresë të të gjithë institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe vendor duke ndjekur situatën në terren si bazuar në informacionet e marra, nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp dëshiron të sqarojë veçanërisht të gjithë punonjësit e bashkive dhe prefekturave që janë nëpunës civilë, administrativë apo me kontratë pune që e kanë të ndaluar gjatë orarit zyrtar të punës çdo lloj pjesëmarrjeje në aktivitete/veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati. Sipas njoftimit për shtyp, të shpërndarë nga zyra e shtypit e zv.kryeministres Mandija, punonjësit e institucioneve më sipër që gëzojnë statusin e nëpunësit civil jashtë orarit zyrtar kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari politike, por nuk u lejohet të shprehin publikisht bindjet dhe preferencat e tyre politike. Kjo do të thotë që nuk u lejohet të ndërmarrin veprime për të bërë fushatë për një subjekt politik/zgjedhor apo kandidat, të jenë protagonistë në aktivitete/veprimtari politike apo të manifestojnë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht.

Exit mobile version