Festa ka mbaruar! Menjëherë pas zgjedhjeve administrata tatimore ashpërson qëndrimin e saj në lidhje me abuzimet që bëhen nga shitësit. Ajo sjell në vëmendjen e qytetarëve elementët që duhet të përmbajë një kupon i rregullt tatimor dhe gjobat do të jenë të rënda…
Përmes një njoftimi për shtyp, DPT apelon qytetarët të mos bini pre e lëshimit të faturave nga pajisje fiskale jo të autorizuara. Të tillë kupona, sipas DPT-së, janë abuzivë dhe vlejnë vetëm për përfitime abuzive në dëm të interesit tuaj dhe shoqërisë në tërësi.
Çdo kupon i lëshuar nga pajisje jo të autorizuara është i pavlefshëm dhe i dënueshëm administrativisht nga ligji, me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. DPT inkurajon qytetarët të denoncojnë çdo rast.
Pak ditë më parë, administrata tatimore gjatë këtij sezoni veror do të rrisë kontrollet për kuponin tatimor. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kontrollet do të përqendrohen kryesisht në zonat turistike, për shkak të përqendrimit më të madh të bizneseve, por edhe numrit të lartë të pushuesve në këto zona. Subjekt i kontrollit janë të gjitha bizneset nga ambulantët e deri tek baret dhe restorantet.