Taulanda Jupi: Listat e Ramës dhe Berishës, lista besnikësh për ditë të vështira – Demokratët të hakmerren me votë për hedhjen e primareve në koshin e plehrave

Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për Tiranën, znj. Taulanda Jupi, ishte e ftuar në emisionin “Ditari i Fundjavës” të gazetarit Erion Dushi në A2CNN, ku diskutoi mbi listat e kandidatëve të partive që garojnë në zgjedhjet e 11 majit, si dhe temat kryesore të fushatës zgjedhore.

Gjatë debatit, znj. Jupi theksoi se listat e Partisë Socialiste dhe Rithemelimit nuk janë gjë tjetër veçse “lista besnikësh për ditë të vështira”. Ajo paralajmëroi qytetarët se përbërja e listave të këtyre dy partive parathotë qëllimet e tyre: shkatërrimin e Reformën në Drejtësi dhe SPAK-ut në shtator.

Listat e Rames janë të mbushura me individë që po hetohen nga SPAK, si Olta Xhaçka, Klotilda Bushka dhe Ceno Klosi. Ndërsa të ashtuquajturit ‘të rinj’ në lista nuk janë asgjë më shumë se borxhlinj ndaj Rames, të përshirë për të krijuar një fasadë”, u shpreh Jupi.

Përsa i përket listave të Rithemelimit, kandidatja e Tiranës i cilësoi ato si “kronikë e një humbjeje të paralajmëruar”, duke theksuar se Sali Berisha dhe ndihmësit e tij, Flamur Noka dhe Albana Vokshi, e kanë tradhtuar bazën demokrate, duke hedhur në koshin e plehrave rezultatet e primareve dhe votën e demokratëve.

Ata që janë në listë nuk janë aty për demokratët, por për të mbrojtur Berishën pas humbjes së 11 majit”, tha ajo, duke u bërë thirrje demokratëve të ndëshkojnë tradhtinë e tyre me votë. Merita e tyre e vetme, theksoi Jupi, është se e dinë që Berisha nuk do të japë dorëheqjen pas humbjes në 11 maj dhe janë të gatshëm të bëhen avokatë të tij përballë demokratëve. Më tej ajo paralajmëroi se demokratët do të lihen në rrugë edhe për 4 vite të tjera nga Berisha dhe besnikët e tij.

Jupi gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të mos votojnë listat e besnikëve dhe subjekteve të SPAK, por të bëjnë me votën e tyre vetting-un e munguar të politikës. Ajo apeloi që qytetarët të votojnë njerëz të pakorruptuar dhe përfaqësues të drejtpërdrejtë të tyre, jo të kryetarëve.

Gjatë diskutimit, znj. Jupi u ndal edhe tek përpjekjet për krijimin e një koalicioni mes partive që mbështesin luftën kundër korrupsionit. Ajo kritikoi shpalljen e koalicionit nga z. Enkelejd Alibeaj dhe kolegët e tij, duke e konsideruar si “të gabuar dhe të pamatur”.

Një çështje kyçe në debatin e saj ishte edhe përfaqësimi i grave në politikë. E pyetur nga gazetari Dushi nëse gruaja është “forca” e Koalicionit Euroatlantik, znj. Jupi shprehu skepticizëm ndaj kuotës 30% për gratë, duke argumentuar: “Kuotat janë të përshtatshme për pakicat, por gratë janë gjysma e popullsisë”. Ajo deklaroi se do të angazhohet në Parlament që gratë të kenë përfaqësim të barabartë me burrat, në nivelin 50%, ashtu siç zbatohet sot në Këshillat Bashkiakë.

Koalicioni Euroatlantik, tha ajo, është e vetmja alternativë që garanton ndryshim të vërtetë dhe një të ardhme të begatë për shqiptarët.

Exit mobile version