Të fundit për eksportet, rajoni me shifra dyshifrore

INSTAT raportoi dje se eksportet më 2016-n ishin rreth 1.8 miliardë euro, me një rritje të papërfillshme prej 0.1% në raport me vitin e kaluar. Pas një gjysme të parë të vitit me tkurrje, që arriti deri në -8%, pjesa tjetër e vitit ishte më pozitive, duke rikuperuar këtë humbje. Në total, 63% e eksporteve shqiptare kanë si avantazh kryesor konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore (industria me material porositësi, kryesisht këpucë e tekstile) dhe shitjen e lëndës së parë natyrore, kryesisht bruto, të papërpunuar. Mjaftoi një rënie e çmimeve të naftës dhe eksportet shqiptare dolën zbuluar.
Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia ka regjistruar rritje pozitive, që është përshpejtuar nga 6% në tremujorin e dytë në 18% në të tretin (për krahasim në Shqipëri, për tremujorin e tretë, ndryshimi vjetor i eksporteve ishte -4.4%). Produktet kryesore të eksportuara janë katalizatorët (rreth 1.2 miliardë dollarë apo sa gati 60% e gjithë eksporteve shqiptare), centrifugat ($425M), xeherorët ($383M), fije dhe kabllo elektrike ($255M) veshje për femra ($194M), sipas burimeve zyrtare. Në total, eksportet e Maqedonisë, (një ekonomi me madhësi më të vogël se e jona), janë rreth 5.2 miliardë euro apo gati trefishi i atyre shqiptare.
Në Mal të Zi, eksportet u rritën përkatësisht me 28.4% dhe 14.6% në tremujorin e dytë dhe të tretë.
Në Serbi, eksportet kanë shënuar rritje me bazë vjetore prej rreth 10% për tremujorin e dytë e të tretë, në Bosnjë me rreth 8-10%.
Edhe në raport me madhësinë e ekonomisë (Prodhimin e Brendshëm Bruto, PBB), Shqipëria ka performancën më negative. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri është rreth 27% e PBB-së, në Maqedoni është rreth 50% e PBB-së, në Serbi po rreth 50% e PBB-së, në Mal të Zi rreth 42% e PBB-së dhe në Bosnjë 35.1.
I vetmi vend me të cilin mund të krahasohemi është Kosova, që ka shënuar rënie të fortë të eksporteve përgjatë 2016-s (-17.7% në tremujorin e tretë) dhe i ka eksportet e mallrave e shërbimeve sa 19% e PBB-së.

Exit mobile version