11 milionë euro të tjera për betonizimin e sheshit

Faza e dytë e punimeve në Sheshin Skënderbej të kryeqytetit do të kushtojë 978 milionë lekë ose (7.1 milionë euro) sipas shpalljes që u bë në Buletinin e Prokurimeve Publike. Kontrata është lidhur ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë “Fusha”, e cila ka mbaruar edhe punimet e fazës së parë, të cilat kushtuan 527.5 milionë lekë ose 4 milionë euro.
Gjithsej vlera e punimeve për rikualifikimin e Sheshit Skënderbej në dy fazat e para kushtoi 1.5 miliardë lekë ose rreth 11 milionë euro. Kjo shumë ishte sa 10 për qind e të ardhurave vjetore që Bashkia e Tiranës realizoi më 2016. Në njoftimin për shpalljen e fituesit të fazës së dytë nuk pati asnjë ankesë dhe kontrata tashmë është shpallur.
Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë së Tiranës në fazën e parë të punimeve përshihen punimet për kompletimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të shiut, si dhe atë të shatërvanëve dhe nënshtresat dhe shtresën përfundimtare të gurëve nga gjitha trevat shqiptare.
Punimet e fazës së parë nisën nga zona e Muzeut Kombëtar ku u bë rikonstruksioni total i xoklit të ndërtesës, rikonstruksioni i shkallëve hyrëse në Muzeun Kombëtar, si dhe u punua në lulishtet përreth Muzeut, të cilat do të shndërrohen në kopsht botanik.
Gjithashtu faza e parë përfshiu ndriçimin e jashtëm të Muzeut Kombëtar dhe kopshteve përreth tij. Kjo fazë punimesh vijoi me rikonstruksionin e shkallëve të Pallatit të Kulturës dhe platformave hyrëse të Teatrit të Operas dhe Bibliotekës Kombëtare.
Faza së dytë do të realizohet në një afat 12-mujor dhe do të kompletojë projektin e Sheshit Skënderbej me punimet që do të kryen në kopshtet përreth tij.
Të gjitha këto zona punimesh janë të ndara në segmente të ndryshme kantieresh të vogla, për të bërë të mundur qarkullimin e qytetarëve. Me përfundimin e punimeve Sheshi Skënderbej do të kthehet në një pedonale dedikuar këmbësorëve. Ky projekt ka devijuar tërësisht trafikut, duke rënduar qarkullimin në kryeqytet edhe pas përfundimit të tij.

Exit mobile version