Të jesh qytetar do të thotë të protestosh, të heshtësh, bashkëpunëtor i tiranisë

Armend Gjana

Historia e protestës zë fill qysh në Athinën e lashtë, kur qytetarët e lirë ( jo skllevërit ) mblidheshin në Agora dhe flisnin hapur për problemet e qytetit. Dhe Athina asokohe kishte 5000 qytetarë të lirë dhe 40000 skllevër. Athina ishte qytet-shtet, por kishte edhe rrethina, dmth fshatra.

Në kohën e demokracisë Athinase ( 2700 vjet më parë ) vetëm skllevërit dhe fshatarët nuk protestonin, sepse nuk e ndjenin veten të lirë. Po ashtu edhe në kohën e Romës republikane. Në kohën e demokracisë pas feudalizmit dhe revulucionit industrial, protesta u shndërrua në sinonim të qytetarisë, të njerëzve të lirë.

Fshatarët nuk protestojnë ata luftojnë me armë kur u shkelen të drejtat e tyre private. Në diktaturë regjimi përmbyset me forcën e dhunës zakonisht, e me çdo mjet, ndërsa në demokraci përmbysen qeveritë me protesta paqësore, sepse ato shkelin liritë dhe të drejtat e të qeverisurve.

Në Shqipëri, pas luftës së dytë botërore (1944) shqiptarët ranë në diktaturë, sepse as nuk vazhduan luftën, as nuk protestuan. Elita e kohës që nuk u arratis jashtë vendit priti në heshtje se mos ndoshta SHBA-ja dhe Britania do të bënin të pamundur instalimin e regjimit komunist në Shqipëri.

Dhe erdhi nata e gjatë e pushtimit të brendshëm, diktatura, me pushkatime, burgosje e izolim 50 vjeçar. Sepse ishte marrëveshja e Jaltës, që e ndau botën në dy pjesë, me një mur Berlini në mes. Vetëm me 8 Dhjetor 1990 studentët shqiptarë, një grusht studentësh u ngritën dhe për 3 ditë mposhtën diktaturën me protesta, jo për të marrë pushtetin, por pë lirinë e tyre.

Të protestosh sot pas 30 vjetësh, kur po kufizohet liria ekonomike, politike dhe sociale nga një qeveri autokratike është domosdoshmëri. Europa dhe Perendimi, burokracia e ligjeve të Brukselit ka zgjedhur për ne stabilitetin para demokracisë, qetësinë e varrezave të diktaturës ose arratisjen në perendim para zhvillimit të Shqipërisë.

Qeveria e rilindjes së diktaturës i ka marrë të gjitha pushtetet e dhunës në duart policore të Edi Ramës: Parlamentin, gjygjësorin, prokurorinë, ushtrinë, pasuritë, të ardhmen. Skllavëria e ardhshme do të jetë ekonomike, sepse me një borxh të jashtëm 83% që mund të shkojë për dy vjet në 100%, çdo shqiptarë do ta fillojë jetën me 5000 mijë dollarë borxh që do të duhet ti paguajë çdo vit për 30 vitet e ardhshme.

Të mos habitemi që pas ligjit antishpifje që qeveria do të miratojë këto ditë në parlament ( që është identik me ligjin kundër agjitacionit dhe propagandas, neni 55 i kodit penal të diktaturës ), parlamenti-socialist rilindës të marrë një nismë ligjore për ta ndaluar me ligj pluralizmin në Shqipëri.

Ka 122 vota, 122 ushtarë të bindur për të votuar të ngazëllyer pas brekusheve të Edi Ramës edhe rivendosjen e diktaturës. Shembujt nga historia nuk mungojnë. Edhe Hitleri erdhi me vota në pushtet dhe vendosi nazizmin, edhe Musolini po ashtu erdhi në mënyrë të ligjshme.

Kemi plot shembuj të tjerë në botë këtë kohë, kur shtete si Venezuela, Kina, Korea e Veriut qëndrojnë në krye të tyre regjime totalitare sepse kanë marrë votat e qytetarëve. Po ashtu Rusia e Putinit ka 20 vjet që me vota sundon qytetarët e vet. Prandaj duhet të protestojmë të gjithë në sheshe dhe rrugë, që të jemi të lirë.

Të protestojmë me zë të lartë, që të mos bëjmë paqë pas lufte. Ta fitojmë paqen, jo duke soditur lajmet në TV dhe portale, jo duke dëgjuar burokratët e Brukselit dhe nënpunësve të ambasadave për stabilitet Ballkanik, por duke protestuar fort, siç bëjnë ato në vendet e tyre kur u shkelet e drejte elemetare qytetare.

Të jesh demokrat thotë Xhefersoni, do të thotë të bindesh pak dhe të kundërshtosh shumë. Protesta është kundërshtim dhe alternative. Bindja ndaj autoritetit është nënshtrim, skllavëri, tirani…Të protestosh sot do të thotë të jesh qytetar i lirë. Të heshtësh sot do të thotë të jesh bashkëpunëtor i tiranisë.

Profesioni më i vlefshëm i çdo qytetari të lirë është para se gjithash ai i protestuesit. Pastaj vijnë profesionet e tjera. Prandaj ju bëj thirrje : kundërshtoni fort me zë të lartë permes protestës qytetare. Se nesër do të jetë vonë dhe nuk ja vlen të gjejmë fajtorët e tiranisë.

Exit mobile version