Dekriminalizimi i politikës shqiptare ka hyrë në fazën më të rëndësishme, që është pastrimi përfundimtar i Parlamentit, qeverisë, pushtetit lokal, administratës dhe policisë nga kriminelët. Beteja disavjeçare e shqiptarëve për të rimarrë institucionet e pushtuara nga bandat kriminale është në fazën finale. Mijëra të zgjedhur apo të emëruar në institucionet shqiptare kanë patur detyrimin që të vetëdeklarohen mbi të shkuarën e tyre, duke dëshmuar problemet që kanë patur me drejtësinë dhe ligjin në Shqipëri dhe kudo tjetër ku ata kanë jetuar.
Mazhoranca aktuale, pavarësisht se bëri gjithçka mundte ta sabotonte dekriminalizimin, pas miratimit të detyruar në Parlament duhet të qëndrojë larg korruptimit të këtij procesi. Shqiptarët, opozita, ndërkombëtarët janë sy e veshë tek mënyra se si po zbatohet ky ligj. Asnjë praktikë e zakonshme e kësaj mazhorance në korruptimin dhe komprometimin e ligjit, Kushtetutës dhe institucioneve nuk do të mbetet pa përgjigje, kur vjen çështja tek dekriminalizimi.
Mazhoranca dhe Kryeministri Edi Rama kanë vetëm një detyrë dhe ajo është që të mos guxojnë të fusin duart e tyre të pista, sikurse bëjnë me kutitë e votimit, sikurse bëjnë me dokumentet e tenderave, koncesioneve dhe aferat e tjera të përditshme. Në çdo përpjekje për të manipuluar dokumentacionin apo vënë nën presion organet ligjzbatuese, Rama dhe banda e tij janë nën fokusin e publikut dhe nuk ka shpëtim për të dhe kriminelët që mban rreth vetes nëse populli vendos ta implementojë vetë këtë ligj.
Rama nuk ka alternativë kur vjen çështja tek zbatimi i dekriminalizimit. Nëse Elvis Roshi nuk është dorëhequr si kryebashkiak, historitë e tij kriminale me emrin Ervis do ta largojnë nga karrigia dhe qytetarët e Kavajës do të jenë më së fundi të lirë të zgjedhin një jo kriminel, një jo të arrestuar, një jo të dënuar, një jo të dëbuar për të drejtuar qytetin e tyre. Po kështu do të ndodhë në Krujë dhe në çdo njësi tjetër administrative, po kështu do të ndodhë në Parlament, polici, Prokurori, gjykata dhe çdo qelizë të shtetit që është subjekt i ligjit, ku banditët, vrasësit, trafikantët guxojnë të ushtrojnë funksione publike, duke i blerë me para dhe militantizëm tek Kryeministri dhe të dërguarit e tij në çdo cep të vendit.
Dekriminalizimi është diçka që nuk ka nevojë as për ndërhyrjet dhe shpjegimet e Kryeministrit apo të kriminelëve me të cilët ai po qeveris sot. Qytetarët i njohin monstrat që kontrollojnë sot pushtetin në Shqipëri, pasi i kanë parë kur kanë vrarë, kur kanë trafikuar vajzat shqiptare, kur kanë trafikuar drogë, kur kanë vënë gjoba, kur kanë derdhur milionat e tyre të pista në biznese dhe në blerjen e posteve. Qytetarët i njohin fare mirë këta pushtetarë, pasi i kanë parë kur kanë hyrë dhe dalë nga burgjet e Gjermanisë, Italisë dhe vendeve të tjera perëndimore, kur janë hetuar dhe dënuar nga gjykatat perëndimore për krime të rënda, kur kanë ardhur me pranga në duar në Aeroportin e Rinasit, kur kanë ndryshuar emrat në bashki, kur janë anëtarësuar në partitë e pushtetit, kur kanë blerë votat dhe frikësuar zgjedhësit për t’u bërë deputetë dhe kryebashkiakë, kur kanë paguar Ramën dhe Koçon për t’u bërë drejtues lokalë të administratës, policisë, tatimeve dhe doganave.
Dekriminalizimi kërkon t’i presë njëherë e mirë hovin krimit për të kontrolluar dhe bërë ligjin në këtë vend. Sigurisht, pushteti i Ramës do të tkurret ndjeshëm, klanet e fuqishme të krimit të organizuar do të humbasin kontrollin në Parlament, qeveri, polici dhe institucione. Ky është një moment që qytetarët besojnë dhe duan që ligji të veprojë për të rikthyer shtetin në shërbimin e tyre, duke e çliruar nga ndikimi i krimit. Nëse Rama bën të kundërtën, i ka bërë hesapet gabim, pasi reagimi popullor nuk do ta mëshirojë as atë dhe asnjë nga trimat e tij. Është totalisht i pashpresë!