Përgjaken ndeshjet e futbollit në Peshkopi dhe Pogradec

Dhunë e përgjakshme ka shpërthyer dje në ndeshjet e futbollit në Peshkopi dhe Pogradec. Në Peshkopi tifozët dhunuan barbarisht lojtarët e Kastriotit gjatë ndeshjes së futbollit Korabi-Kastrioti. Lojtari i Kastriotit, Erlind Koreshi ka marrë plagë të rënda në fytyrë dhe është dërguar në spital. Nga raportimet që vijnë nga qyteti i Peshkopisë bëhet me dije se janë dhunuar fizikisht lojtarët e skuadrës së Kastriotit të Krujës në përfundim të ndeshjes.
Bëhet e ditur se, futbollistët e Kastrotit kanë qëndruar 2 orë të ngujuar. 4 lojtarë kanë përfunduar me plagë të rënda. Lajmin e bëri të ditur klubi krutan në postimin që ka bërë në profilin zyrtar të klubit në FB. Sipas statusit të shpërndarë 4 lojtarë të Kastriotit rezultojnë me plagë në trup.
Sipas burimeve, futbollistët krutanë janë dhunuar nga tifozët vendas pas përfundimit të ndeshjes që u fitua nga Korabi me rezultatin 1-0. Sipas burimeve, ndaj lojtarëve të Kastriotit është ushtruar dhunë me sende të forta, ku disa lojtarë kanë marrë edhe plagë dhe lëndime në trup. Pas kësaj ngjarjeje është Komisioni i Disiplinës që do të vendosë pas shqyrtimeve të pamjeve për dënimet që do të jepen.
Dhunë ka pasur edhe në ndeshjen tjetër në Pogradec, ku janë dhunuar lojtarët e Luftëtarit të Gjirokastrës. Një përleshje e dhunshme mes lojtarëve të ekipeve të Pogradecit e Luftëtarit ka ndodhur në fushën e gjelbërt, në stadiumin “Gjorgj Kyçyku” të Pogradecit, ku pas përfundimit të ndeshjes ata kanë gjuajtur me grushte njëri-tjetrin. Situatë e rëndë në Pogradec fill pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes Pogradecit dhe Luftëtarit. Rezultati ka përfunduar 1 me 1 ndërkohë që përgjatë pjesës më të madhe të ndeshjes Pogradeci ka qenë në avantazh. Disa dhjetëra tifozë të Pogradecit janë futur në fushë, ndërkohë që kanë sulmuar lojtarët e skuadrës së Luftëtarit. Brenda fushës ka filluar rrahje masive mes tifozerisë së dy skuadrave. Policia ka bërë përpjekje për të ruajtur sigurinë e lojtarëve, ndërkohë që situata është rënduar shumë.
Prej disa kohësh është krijuar një fenomen në Shqipëri ku pas çdo ndeshjeje ka konflikte fizike. Kjo e fundit ka shoqëruar në polici disa tifozë, ndërkohë që kanë nisur hetimet rreth shkaqeve që çuan në këtë incident.

Exit mobile version