Të rinjtë dhe formula politike: përligj gjithçka, mos shpjego asgjë!

Nga Agim Baçi

Nëse Zigmund Frojd i trajtoi pohimet dhe kundërpohimet te pacientët e tij referuar neurozave personale e jo mbi bazën empirike, politika e sotme i ka shndërruar pohimet dhe kundërpohimet – që dikur ishin personale vetëm për kurimin e pacientit- në bazën e komunikimit publik, ku në thelb sheh trajtimin ose jo me sukses të votuesit-pacient, pa patur qëllim të përcaktojë faktet, e aq më pak të debatojë sipas nocioneve tradicionale të së vërtetës dhe të së gënjeshtrës.

Duke i dhënë përparësi nevojës emocionale të shoqërisë, politika ka kthyer në qendër të komunikimit trillimin apo gjysmë të vërtetat. Kjo i hap rrugën krijimit të një realiteti të ri, larg të vërtetave. Në këtë panoramë të krijimit të realiteteve të reja, marrin formë dy nga praktikat e largimit nga e vërteta dhe e drejta- zbukurimi i kujtimeve dhe zmadhimi i historive personale të seksualitetit.
Pikërisht kjo këmbëngulje për një komunikim sa më emocional dhe me një realitet të prodhuar nga trilli dhe seksualizimi i thellë i shoqërisë, ka sjellë një brez të ri të pandjeshëm ndaj gënjeshtrave. Teksa shohin se çdo ditë nuk i kërkohet më askujt llogari për pandershmërinë përballë ligjit, të rinjtë e sotëm notojnë në një debat pa spirancë e pa themele, por vetëm me emocione – emocione të cilat vihen në lëvizje nga trajtimi si pacient nga ata që janë votuar apo që janë mbështetës të atyre që janë votuar.

Kushdo e ka rrokur lehtësisht këtë trajtim si pacient nga drejtuesit politikë shqiptarë, qofshin në pushtet apo opozitë, të cilët i drejtohen publikut vetëm përmes sferës së ndjenjave dhe jo përmes llogaridhënies apo mbajtjes përgjegjësi përballë fakteve, përballë së vërtetës.

A dëgjoi ndokush një shpjegim se përse z. Rama ndërroi mbi gjysmën e qeverisë? A dëgjoi dikush rënien e arsyeve se përse disa palë në opozitë ishin larg për dy vite dhe sot mund të jenë bashkë?

Kjo mënyrë e të trajtuarit të votuesve është një trajtim terapeutik, ku suksesi është thjesht ndërsimi emocional mes palëve, e jo nxjerrja e së vërtetës. Broçkullat psikotike janë shpjegimi më i madh se përse sot kemi kaq shumë përligje për sharje e mallkime dhe nuk kemi shpjegim për asgjë thelbësore që ndikon në jetën e qytetarëve.

Dikur, edhe pse trillimi ka qenë pjesë e politikës, vijohej të kërkohej me ngulm mësimi i fakteve. Sot vetëm faktet nuk duken më gjëkundi, e as kërkohen të jenë përballë publikut, duke sjellë një çorientim, sidomos të rinisë. E pasi e kemi gënjyer rininë për mundësitë, për pamundësitë, për të shkuarën, për miqtë, për armiqtë, u  kërkojmë ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në këtë vend. Po në emër të kujt mund t’ua kërkojmë të vazhdojnë të ëndërrojnë këtu?

Si mund t’ua kërkojmë të mos dorëzohen kur në vend të ekspertëve vendosin vetëm besnikët e partisë, ku në vend të diturve, në poltronin e politikës janë të fortët, janë ata që besojnë se “e vërteta” dhe “llogaridhënia” janë një luks i tepërt, që “shqetësojnë shoqërinë”. Si mund t’ua kërkojmë të shohin këtu të ardhmen kur vijojmë që të duartrokasim ata që na gënjejnë dhe të këmbëngulin se qetësimi emocional është më i rëndësishëm se sa zbardhja e së vërtetës?

Exit mobile version