Të shtunën protestë e madhe në Tiranë!

Një tjetër protestë e madhe pritet që të përfshijë Shqipërinë. Këtë herë protesta po organizohet në rrjetet sociale dhe në krye të saj janë vetë qytetarët. Me thirrje nëpër Facebook, të shtunën pritet që të ketë një protestë për çmimin e karburanteve në vend.
Më poshtë thirrja e bërë nga Nisma Thurje
Të shtunën protestojmë kundër çmimit të lartë të naftës. Kundër taksës së qarkullimit.
Sot paguajmë çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe një ndër më të lartët në Europë. Por nëse llogarisim dhe vjedhjet në sasi dhe ato në cilësi, çmimi që sot paguajmë është më i larti në Europë!
Kërkesat tona janë:
1. Heqja e taksës së qarkullimit dhe reflektimi i heqjes së saj në çmimin e naftës.
Nuk mund të paguajmë një taksë që e ka humbur funksionin. Në një moment kur për mirëmbajtjen e rrugëve ka një plan për dhënie me konçesion dhe bërje të kalimit me pagesë, si dhe kur ne paguajmë çdo vit taksën e rregjistrimit të automjeteve, atëherë ne kërkojmë heqjen e taksës së tretë, taksës së qarkullimit.
2. Sigurim i cilësisë së naftës dhe garantimi i mosvjedhjes në sasi. Të dyja këto janë detyra bazike të shtetit, të cilat ai s’i ka përmbushur deri më sot. Ne kërkojmë që shteti të bëjë detyrën dhe të mbrojë qytetarët nga këto vjedhje direkte dhe indirekte.
3. Publikimi i të gjitha kontrolleve të kryera nga institucionet e kontrollit të cilësisë së naftës dhe të sigurisë së pistoletave në karburante. Kërkojmë bërjen publike me emër dhe vendodhje të çdo karburanti që është gjetur në shkelje nga institucionet shtetërore. Është e papranueshme që shteti t’i kapë duke vjedhur dhe informacionin t’ua mbajë të fshehtë qytetarëve, dhe ata të vazhdojnë të vidhen.
Protesta do të jetë marshim që do të nisë nga Sheshi Shqiponja dhe do të përfundojë në një tubim përpara Kryeministrisë.
Studentët na e mësuan rrugën si bëhet. Ne na duhet thjesht të bëjmë të njëjtën gjë.
Të shtunën te sheshi Shqiponja!

Exit mobile version