Deputeti i PD, Agron Shehaj ka hedhur të tjera akuza ndaj ministrit Damian Gjiknuri. Ky i fundit vazhdon të pretendojë se kanë marrë masat e duhura duke anuluar tenderin e Unazës së re, pas zbulimit të skandalit të falsifikimit të dokumenteve të njërës prej firmave, atë DH Albania.
Nga ana tjetër, deputeti i PD-së që zbuloi skandalin, është shprehur se ‘këta janë njerëz që tentuan të vjedhin në mënyrë të organizuar në emër të Edi Ramës dhe tani hiqen si shpëtimtarë të parave publike!’.
Reagimi i plotë i deputetit Agron Shehaj
Gjëja më e padurueshme në skandalin e projektit të Unazës është pafytyrësia dhe mungesa e çdo skrupulli e drejtuesve të ARRSH-së dhe Ministrit Gjiknuri.
Ministri lavdëroi veten se i kishte shpëtuar shqiptarëve 30 milionë euro duke prishur kontratat mashtruese, kurse sot ARRSH ka paditur kompaninë Dunwell Haberman.
Këta janë njerëz që tentuan të vjedhin në mënyrë të organizuar në emër të Edi Ramës dhe tani hiqen si shpëtimtarë të parave publike! Arrogancës me të cilën ata vjedhin ja kalon vetëm arroganca me të cilën ata përçmojnë shqiptarët, duke i trajtuar ata si budallenj që nuk kuptojnë.
Këta njerëz që nuk kanë asnjë fije morali njerëzor nuk mund të vazhdojnë të paguhen më asnjë ditë me paratë e popullit, duhen larguar si hajdutë dhe pastaj të dalin para drejtësisë.